Hill ‘godet’ Kurtin: “Kur Borrell është i pakënaqur edhe ShBA është tejet e pakënaqur, Serbia shkoi e përgatitur”

15 shtator 2023 | 19:55

Serbia shkoi e përgatitur në Bruksel dhe i bëri detyrat e saj të shtëpisë”, ka thënë ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, në një deklarim për takimin e djeshëm të dështuar të Nivelit të Lartë, ku Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, refuzoi plan-propozimin e sekuencimit të zbatimit paralel të Marrëveshje Bazike të paraqitur nga Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell.

Hill e lavdëron Serbinë se shkoi e “përgatitur mirë” bashkërisht me Bashkimin Evropian, teksa eviton të thotë të njëjtën për palën kosovare, përkatësisht kryeministrin Kurti.

Unë s’kam marrë pjesë në negociata, nuk ka pasur as amerikanë aty. Por, qartazi nga ato që kam lexuar, zoti Borrell dhe pala serbe shkuan të përgatitur mirë dhe i pajtuan në themel me propozimin e BE-së”, ka thënë Hill për Tanjug, siç e citoi “Blic.rs“.

“(Bashkimi Evropian) ka vendosur përpjekje të mëdha dhe ShBA ka shprehur qëndrimin parimor që do ta mbështesin zotin Borrell. Nëse ai është i kënaqur, do të jemi edhe ne; nëse nuk është i kënaqur, edhe ne do të jemi tejet të pakënaqur“, ka shtuar ai.

Hill u shpreh se BE propozi “një formulë kompromisi”.

“Për aq sa e kuptova çka tha zoti Borrell, ata provuan të vendosin një plan sekuencimi. Çështja e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, dhe çështja e një hapësire më të gjërë për ndërkombëtarizimin e Kosovës, dhe po provojnë të rendisin këto elemente. Do ta shohim se si do të shkojë e gjitha kjo. Siç thash, këto janë negociata të vështira, por mendoj se Serbia i bëri punët e saj të shtëpisë dhe u përgatit mirë”, ka thënë Hill.

Lajçak

Më jepni atë që meritoj, unë bëj atë që është e nevojshme”.

Kështu e përkufizon qëndrimin edhe të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti edhe të Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ndërmjetësi evropian i dialogut për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak.

Por “nuk shkon kështu”, ka thënë Lajçak në një bisedë me gazetarë, siç e citoi të ketë thënë agjencioni sllovak i lajmeve TASR.

Lajçak, ndonëse më parë shprehej i lumtur se brenda bisedimeve mes Kurtit dhe Vuçiqit kishte nisur të mbizotëronte një “atmosferë respekti”, kësaj here u shpreh se “ka nivelë të thellë mosbesimi” mes tyre dhe se assesi Kurti dhe Vuçiqi “nuk ia dalin të tejkalojml dallimet”.

Ndërkaq për propozim-kompromisin e BE-së për “zbatim paralel” të Marrëveshjes Bazike – përkatësisht aspektet e formalizimit të njohjes ‘de facto’ krahas zbatimit të Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe – Lajçak tha se ishte Kurti ai që refuzoi, e jo Vuçiqi.

Emisari evropian e shpjegoi këtë zbatim paralel në këtë mënyrë: Prishtina të nis negocimin e garancive për serbët në veri të Kosovës dhe Serbia të nis gradualisht zbatimin e obligimeve të saj.

Ndërkaq, më tej, ai thotë se ky proces do të jetë “transparent dhe i matshëm”. Nëse njëra palë zbaton atë e tjetra jo, Lajçak thotë se “mund të ndalet në çfarëdo kohe”. Për Kurtin, ai tregoi se nguli këmbë në aspektet e formalizimit të njohjes ‘de facto’ në rend të parë.

Ndërmjetësi thotë se është “i sigurtë” se dokumenti më i mirë është ai i Ohrit dhe se “do të ishte për keqardhje nëse mbetet në pluhur”.

Në një rast të tillë presim më shumë konflikte, më shumë dhunë në veri të Kosovës”, ka thënë Miroslav Lajçak.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ka përfunduar ndeshja e gjysmëfinales së Superkupës së Kosovës në…