Shtatë motrat që ushqimet tradicionale i bënë brend

17 shtator 2023 | 13:35

“Babai im më ka mësuar që të mos kem frikë nga puna, pavarësisht se jam femër”.

Kështu ka thënë Advije Berisha-Rexhepi, 48-vjeçare nga Shkupi, e cila ka kryer studimet në Fakultetin e Pedagogjisë. Pasi për më shumë se 15 vjet nuk arriti të gjente punë, ajo, bashkë me gjashtë motrat më të vogla, krijoi biznesin e saj duke hapur një furrë për fli.

Advije Berisha-Rexhepi bashkë me shtatë motrat e saj krijoi biznesin e saj me gatime tradicionale prej brumi.

Advije Berisha-Rexhepi bashkë me shtatë motrat e saj krijoi biznesin e saj me gatime tradicionale prej brumi.

“Ishim mbledhur për 8 mars ne 7 motrat dhe dy vëllezërit dhe kishin qitë fli. Pamë se shumë nga të afërmit lakmonin për këtë ushqim tradicional. Dhe, në atë moment na lindi ideja, pse të mos gatuajmë për të tjerët”, rikujton ajo fillet e biznesit familjarë që nisi me zero kapital gjatë kohës së pandemisë.

“Që në fillim kishim një vullnet aq të fuqishëm sa nuk e paramendonim se mund të këtë ndonjë pikë të dobët që mund të na ndalojë. Ne kishim besim se mundemi dhe çdo sfidë u tejkalua falë besimit që kishim se mund t’ia dalim”, ka treguar Advija.

Flija, ushqim tradicional i shqiptarëve që përgatitet me miell, ujë e kripë, kurse gjatë pjekjes lyhet me mazë.

Në këtë biznes, ka thënë Advija, mbështetje e fuqishme janë dhe dy vëllezërit. Duke qeshur, ajo ka thënë se të paktën ata kanë shije të mirë për të degustuar ushqimin.

Ajo ka ndarë me “Radion Evropa e Lirë” kujtime nga koha e studimeve në Fakultetin e Pedagogjisë e që lidhen me profesionin që po ushtron tani: “Kujtoj se isha në vitin e dytë të studimeve dhe lexova në një revistë rrëfimin për një pedagoge bukëpjekëse. Atëkohë disi e çuditur mendova si mundet një pedagoge të bëhet bukëpjekëse. Por, sot, edhe pse jam pedagoge e diplomuar, aspak nuk e vras mendjen pse e ushtroj një profesion tjetër, megjithëse kisha ëndrra të jem e suksesshme në profesionin që kisha zgjedhur si pedagoge. Tani thjesht jam e kënaqur që siguroj të ardhura për familjen me mundin tim”.

Edhe motrat e tjera të përfshira në biznesin familjar kanë profesione si police, albanologe, floktare.

Pesë nga shtatë motrat në punëtorinë e tyre.

Pesë nga shtatë motrat në punëtorinë e tyre.

Hajrije Berisha-Aliu, 29 vjeçe është motra më e vogël në familjen Berisha. Ajo ka diplomuar për ekonomi dhe ka thënë se si menaxhere, e di mirëfilli se krijimi i një brendi për produktin, është një nga shtyllat kryesore për të pasur sukses në treg.

Hajrije Berisha-Aliu

Hajrije Berisha-Aliu

Ajo ka theksuar se fillimisht të gjitha ushqimet tradicionale, si pitet, mantijat, flijat, ëmbëlsirat si bakllava, revania janë brenduar nën logon “Seven sisters” dhe më pas ka krijuar një rrjet që këto ushqime të ngrohta në kohë rekorde të jenë në sofrat e konsumatorëve.

“Në këtë pjesë besoj se na ka ndihmuar dhe emri ‘Seven sisters’ (Shtatë motrat), pasi besoj se jo kaq shpejt do të ishim bërë brend. Kjo pjesa e të vepruarit në biznes si shtatë motra, shpejt mori vëmendjen e konsumatorëve”, ka thënë Hajrija dhe shton se në radhë të parë është cilësia.Ajo ka thënë se çdo gjë bëhet me produkte bio pasi si gjalpi, qumështi, vezët janë të shtëpisë. Si element shumë të rëndësishëm në suksesin e biznesit familjar ajo thekson shpërndarjen me kohë të produkteve, siç thotë, nga furra në tryezën e konsumatorëve. Përgatitja e ushqimeve tradicionale me saç në furra druri, si flija, mantijat, pitet, etj. ka bërë që të marrë vëmendjen edhe të turistëve të huaj.

“Mendojmë të hapim edhe një dyqan të vogël, sidomos për turistët e huaj. Kemi pasur rast që na kanë ardhur në punëtori duke menduar se këtu mund t’i shijojnë produktet tona”, ka thënë Hajrija.

Ministria e Ekonomisë gjatë tre vjetëve të fundit ka ndarë grante në vlerën e mbi 1 milion eurove, për nisjen e bizneseve të vogla që drejtohen nga gratë ose janë në pronësi të grave.

Megjithëkëtë, në Maqedoninë e Veriut, më pak se 20 për qind e bizneseve drejtohen nga gratë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lionel Messi nuk ishte në fushë derisa ekipi i tij,…