Von Cramon thotë se BE-ja s’ka gabuar kur vendosi masa ndaj Kosovës

19 shtator 2023 | 10:32

Eurodeputetja gjermane dhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, beson se Serbia duhet ta kapërcejë retorikën tejet agresive dhe qasjen tmerrësisht nacionaliste në raport me Kosovën nëse dëshiron anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

“Nuk mund të pranojmë një vend që ende jeton në të kaluarën dhe ende jeton me këto narrativa të vjetra”, thotë Von Cramon në një intervistë për portalin e lajmeve Euractiv.

I pyetur për kritikat se BE-ja nuk po e trajton Kosovën në mënyrë të drejtë, veçanërisht për sanksionet e fundit të BE-së kundër Kosovës, Von Cramon e sheh situatën më të nuancuar.

“Ajo që dëgjoj është gjithmonë një ndjenjë e përgjithshme se ne nuk e trajtojmë Serbinë njëlloj me Kosovën. Dhe mendoj se kur bëhet fjalë për çështjet e brendshme, po, jam dakord. Mendoj se duhet të jemi shumë më të ashpër ndaj mos-bërjes së reformave, reformave të brendshme; Serbia nuk ka bërë asgjë”, ka theksuar ajo.

“Duhet të jemi shumë më të sinqertë. Por, kur bëhet fjalë për dialogun, në veçanti, dhe për secilin hap të vetëm. Unë nuk shoh se BE-ja ka bërë ndonjë gabim të rëndësishëm.”

Ajo shtoi se BE-ja është përpjekur shumë, por ka mungesë të vullnetit politik nga të dyja palët dhe përshkallëzimi i fundit nuk i ka ndihmuar gjërat.

“Por, përshkallëzimi i fundit, veçanërisht në Veri, ishte vërtet shumë i parashikueshëm. Dhe të gjithë e paralajmëruan kryeministrin Kurti që të mos vazhdojë me këtë. Dhe ai e ka bërë këtë gjithsesi”.

“Nëse nuk doni të bashkëpunoni, pavarësisht se çfarë ju këshillojnë njerëzit dhe miqtë, atëherë po, përballeni me kritika. Është kaq e thjeshtë”, tha ajo.

Von Cramon ka bërë të ditur se kohë më parë mendonte se Serbia kishte interes për t’u anëtarësuar në BE, por ngjarjet e fundit, përfshirë përkeqësimin e marrëdhënieve me Kosovën, kanë hedhur dyshime për këtë.

Eurodeputetja gjermane është shprehur e zhgënjyer me procesin e dialogut dhe ngërçin e shkaktuar në këtë proces pas përkeqësimit të situatës në Veri, meqë sipas saj Marrëveshja Bazike e dakordësuar fillimisht në Bruksel e më pastaj në Ohër të Maqedonisë së Veriut kishte ofruar mjaft shpresë për të dërguar procesin drejt njohjes përfundimtare të Kosovës nga Serbia.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Jorn Rohde, ambasador i Gjermanisë në Kosovë, ka komentuar zhvillimet…