Kosova, prioritet i Shqipërisë në politikën e jashtme

20 shtator 2023 | 17:26

Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë i Kuvendit të Republikës së Kosovës, me ftesë të kryetares së Komisionit për Politikën e Jashtme të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Mimi Kodheli, ka realizuar një vizitë zyrtare në Tiranë.

Delegacioni i Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, i kryesuar nga Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, kryetare e komisionit, së bashku me anëtarët Xhavit Haliti, Yllza Hoti dhe Time Kadrijaj, gjatë vizitës zyrtare në Tiranë kanë takuar në Komisionin për Politikën e Jashtme, Komisionin për Çështjet Evropiane, deputetë dhe përfaqësues të Kuvendit të Shqipërisë në organizata ndërkombëtare si zëvendësministren e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Artemis Malo.

Takimi i parë i anëtarëve të këtij komisioni ishte me komisionin homolog, atë për politikën e jashtme. Gjatë këtij takimi është vlerësuar roli i Shqipërisë në mbështetjen e Kosovës në të gjitha etapat e shtetndërtimit të saj. Nga pala shqiptare është theksuar se Kosova është prioritet i Republikës së Shqipërisë për njohje të plotë ndërkombëtare dhe për integrim në organizata ndërkombëtare. Po ashtu, në këtë takim është biseduar për situatën në të cilën gjendet Kosova si pasojë e dialogut Kosovë – Serbi dhe për mundësitë e daljes nga kjo situatë në të mirën e Kosovës.  “Procesi i Berlinit është kthyer në qendër të vëmendjes së vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së dhe gjatë takimit të komisioneve u konfirmua se ky është i vetmi proces që i ofron vendet e BP-së drejt integrimit në BE. Palët u pajtuan që të ngrihet niveli i bashkëpunimit në mes të komisioneve, u propozua nënshkrimi i një marrëveshjeje bashkëpunimi në mes të komisioneve për konkretizimin e aktiviteteve të përbashkëta”, ka njoftuar Kuvendi i Kosovës.

Ndërsa gjatë takimit me Komisionin për Çështjet Evropiane është thënë se procesi i liberalizimit të vizave i ka humbur Kosovës shumë kohë dhe mund, por se tashmë ky proces është i përfunduar dhe se është caktuar data kur qytetarët e Kosovës mund të lëvizin pa viza në Bashkimin Evropian.

“Pala shqiptare theksoi se në çdo takim ndërkombëtar çështje parësore që diskutohet është çështja e Kosovës. U theksua se Shqipëria dhe Kosova nuk duhet të presin projekte për të bashkëpunuar, por bashkëpunimi në mes të dy vendeve duhet të jetë i domosdoshëm, i përditshëm dhe se bashkëpunim është e vetmja rrugë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës ishte gjithashtu çështje diskutimi. U potencua se në këtë proces nevojitet lobim i fortë, sidomos me vendet hezituese brenda KE-së, që të votojnë për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë”, ka njoftuar Kuvendi.

Sipas këtij njoftimi, në takimin me delegacionet e përhershme të Kuvendit të Shqipërisë në organizata ndërkombëtare parlamentare është thënë se agjenda e Republikës së Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE) është përshpejtimi i anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës. “U nda mendimi i përbashkët se delegacioni i Shqipërisë dhe i Kosovës në këtë organizatë vepron si një delegacion i vetëm, përderisa u theksua nevoja për lobim te vendet mike të Kosovës të cilat e përkrahin anëtarësimin e Kosovës në KE. Krijimi i një strategjie të përbashkët veprimi është vlerësuar si e domosdoshme për avancimin e mëtejmë në këtë proces, u tha në takim. Edhe pse Republika e Kosovës nuk është pjesë e Asamblesë Parlamentare OSBE PA, u theksua nevoja që Kosova të mos lë asnjë vend bosh dhe të marrë pjesë në çdo iniciativë ndërkombëtare. Kosova është përpjekur disa herë që të jetë pjesë e kësaj organizate edhe në cilësinë e mysafires, por asnjëherë nuk ka pasur rast të ftohet në ndonjërin nga forumet e kësaj organizate”, ka njoftuar Kuvendi.

Lidhur me Komitetin Parlamentar për Stabilizim Asociim (KPSA), delegacioni shqiptar ka njoftuar se i përcjellë negociatat që Republika e Kosovës ka me Komisionin Evropian dhe se është në dispozicionin e Kosovës për çfarëdo asistence që Kosova ka nevojë lidhur me këtë proces.

Ndërsa gjatë takimit në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, zëvendësministrja Artemis Malo, e cila mbulon dikasterin e diasporës brenda ministrisë, tha se Kosova në këtë drejtim ka bërë hapa të suksesshëm në integrimin e diasporës brenda jetës politike në Kosovë.

Nga delegacioni i Kosovës është bërë me dije se dy vendet mund të rritin bashkëpunimin në fushën e diasporës dhe se në këtë drejtim mund të shkëmbehen përvojat. “U kërkua nga Republika e Shqipërisë ta shfrytëzojë rastin me kryesimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së të lobojë te shtetet skeptike në mënyrë që gjërat të lëvizin në favor të Kosovës. Theks të veçantë u kërkua t’u kushtohet pesë vendeve të BE-së që nuk e kanë njohur ende Republikën e Kosovës”, ka njoftuar Kuvendi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka takuar në Nju-Jork, sekretarin…