Petritsch: Është koha për marrëveshjen Beograd-Prishtinë

25 gusht 2018 | 13:17

Ish-i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për Kosovën, Wolfgang Petritsch, ka deklaruar se dialogu Beograd-Prishtinë solli shumë gjëra të mira, por është koha që të prodhojë një marrëveshje përfundimtare.

Wolfgang Petritsch ka deklaruar për “N1” të premten se është moment i duhur dhe se është e rëndësishme që një propozim për një zgjidhje të vijë nga Beogradi dhe Prishtina, pasi që vetëm atëherë do të ishte e pranueshme për të gjithë.

“Mendoj se kemi arritur në një pikë ku duhet një vendim. Unë nuk besoj se gjëra të tilla mund të vazhdojnë pa të. Kjo do të çonte në një konflikt të ngrirë, të pafund”, shtoi Petritsch.

Ai ka theksuar se si Beogradi, po ashtu edhe Prishtina dukeshin gati të arrinin një marrëveshje dhe shtoi se do të ishte mirë nëse një zgjidhje do të miratohej nga shkurti ose marsi i vitit të ardhshëm, para se mandati i Komisionit Evropian (KE) të mbarojë.

“Nëse kjo dështon, frikësohem se do të jetë një humbje për të gjithë – për Presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq, Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, si dhe Shefen e Diplomacisë së BE-së, Federica Mogherini”, ka shtuar Petritsch.

Ai shtoi se nëse një marrëveshje nuk do të arrihet tani, do të duhet një kohë e gjatë që një e re të shfaqet.

“Nuk ka një zgjidhje ideale, por politika dhe jeta reale nuk janë kurrë perfekte”, tha Petritsch.

Duke folur për korrigjimin e kufirit mes Kosovës dhe Serbisë, ai tha se beson se një ndryshim i vogël do të ishte i nevojshëm, siç është rasti mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Petritsch shtoi se nëse zgjidhja do të ishte një kompromis dhe do të kishte mbështetjen e të dy palëve, atëherë bashkësia ndërkombëtare duhet ta pranojë atë.

Ai tha se pa një zgjidhje për çështjen e Kosovës, Serbia nuk mund t’i bashkohet BE-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kohëve të fundit shumë baballarë marrin pjesë në lindjen e…