Shqipëria, zë i fuqishëm i Kosovës në OKB

22 shtator 2023 | 17:30

Republika e Shqipërisë vazhdon të jetë në krye të detyrës sa i përket afirmimit të shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Pas kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, edhe presidenti Bajram Begaj i ka dalë në mbrojtje shtetit të Kosovës.

Begaj në fjalimin vjetor në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Komeve të Bashkuara (OKB) ka thënë se Shqipëria është e ndjeshme ndaj integritetit të Kosovës dhe se e mbështet dialogun e vështirë që është duke vazhduar me Serbinë.

“Si Shqipëria ashtu edhe Kosova kanë mbrojtur vazhdimisht paqen mbi tensionet dhe konfliktet dhe ne mbetemi të përkushtuar në këtë rrugë. Shpresojmë të njihen kontributet tona dhe të mos lejojmë që përpjekjet që bëjmë të errësohen nga qasjet negative. Në këtë kontekst, Shqipëria mbështet dialogun e vështirë që po vijon midis Kosovës dhe Serbisë të lehtësuar nga ndërmjetësimi i kujdesshëm i Bashkimit Evropian dhe mbështetja e fortë e Shteteve të Bashkuara”, ka thënë Begaj.

Në të njëjtën kohë, Begaj ka thënë se Shqipëria mbetet e ndjeshme ndaj integritetit dhe prosperitetit të Kosovës. “Kosova ia ka arritur të shërojë shumë plagë të thella nga e kaluara tragjike. Të drejtat e serbëve në Kosovë pasqyrojnë normat dhe vlerat evropiane. E njëjta gjë duhet të vlejë edhe për pakicën shqiptare në Luginën e Preshevës në jug të Serbisë. Fatkeqësisht, ne mbetemi ende të shqetësuar për bërjen joaktive të adresave të tyre të banimit dhe mungesën e investimeve të konsiderueshme, si dhe stimujve ekonomikë në atë rajon. Kosova ka dëshmuar se dhimbja nuk ka nevojë të lindë armiqësi. Ajo duhet të përkthehet në mirëkuptim dhe mbështetje”, ka deklaruar Begaj.

Më tutje, Begaj u ka bërë thirrje shteteve mosnjohëse ta njohin pavarësinë e Kosovës. “Gjithsesi Kosova është ende në pritje të njohjes së pavarësisë së saj nga shumë vende. Shpresoj që këto vende së shpejti do ta njohin kontributin e Kosovës për një komunitet global më të drejtë, më paqësor dhe do t’i japin Kosovës njohjen që meriton. Njiheni pavarësinë e Kosovës!”, ka thënë Begaj.

Ndërsa kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë fjalës së tij si drejtues i seancës speciale të thirrur në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për Ukrainën, ka ndarë edhe disa fjalë për pavarësinë e Republikës së Kosovës në këtë panel.

“Rusia dhe të tjerë janë përpjekur ta keqpërdorin realitetin e ndryshuar të Ballkanit Perëndimor, sidomos lindjen e Republikës së Kosovës për t’i justifikuar ëndrrat e tyre neo-imperialiste apo makthet e tyre që kanë eksportuar. Pavarësisht sa përpiqeni, Kosova, pavarësia e saj, është sanksionuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale, kreu 14 i kësaj karte të OKB-së”, ka thënë Rama, duke shtuar se “Gjykata Ndërkombëtare Penale nuk mund të shërbejë si pretekst për rrëmbim territoresh apo aneksim të paligjshëm”. Sipas tij, nëse paqja që zgjat në rajonin tonë sot është e prekshme, kjo së pari ka të bëjë me mësimet e nxjerra për ta tejkaluar të shkuarën dhe për të mësuar një të ardhme së bashku përmes bashkëpunimit.

Kurse në një intervistë për “AbcNews”, ai ka thënë se në këtë seancë ka qenë i përgatitur për çfarëdo skenari sa i takon Kosovës. “Kishim punuar në të gjitha rrjedhat e mundshme dhe të imagjinueshme të debatit, duke pasur parasysh edhe sjelljen e rusëve në vijim ku vjen puna në këtë tryezë për çështjen e luftës dhe njëkohësisht ishim përgatitur mjaft mirë edhe për ta përballuar temën e abuzimit me Kosovën, ç’ka ka qenë një lajtmotiv me propagandën ruse edhe në këtë tryezë, por që me zgjuarsi ministri Lavrov e evitoi pasi u bë e qartë që do t’i kushtonte një tjetër kundërreagim që do ta vinte në pozitë të vështirë përsëri Rusinë. Kështu që, ishte e paevitueshme të kishim një debat, por ishim të përgatitur edhe për një debat më kompleks në rast se rusët do të këmbëngulnin në linjën e tyre abuzive dhe rezistencën e tyre absurde ndaj fakteve dhe ndaj të vërtetave të thjeshta”, ka thënë Rama.

Jo vetëm Shqipëria, por edhe Kroacia ka bërë thirrje në OKB për njohjen universale të Kosovës. Këtë thirrje e ka bërë presidenti kroat Zoran Milanoviq. “Ne vazhdojmë ta mbrojmë njohjen universale të Republikës së Kosovës dhe të drejtën e saj për ekzistencë si anëtare e barabartë e bashkësisë së kombeve. Është në interesin tonë ta promovojmë stabilitetin dhe zhvillimin e mëtejshëm të këtij rajoni, si dhe procesin e integrimit evropian, i cili besojmë se mbetet vendimtar për prosperitetin e ardhshëm të fqinjëve tanë dhe që shpresojmë se do të përshpejtohet në vitet e ardhshme”, ka thënë Milanoviqi.

Kosova hedh poshtë të pavërtetat e Vuçiqit në fjalimin në OKB

Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, i ka hedhur poshtë të gjitha deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në fjalimin para Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), ku ka akuzuar Perëndimin se duke e njohur Kosovën, “kanë shkelur brutalisht Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe Rezolutën 1244”.

Vuçiqi e ka ndërlidhur çështjen e Ukrainës me Kosovën. Sipas tij, “ajo që i ndodhi Serbisë më 2008, po i ndodh Ukrainës sot”. E ka akuzuar Perëndimin se me njohjen e Kosovës “po i mohojnë parimet që sot i mbrojnë” duke e ndërlidhur me pushtimin rus të Ukrainës dhe përkrahjen e Perëndimit për Ukrainën.

“Si ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës dënoj ashpër dhe i hedh poshtë në tërësi si të pavërteta dhe tentim për shtrembërim të historisë deklarimet lidhur me Republikën e Kosovës, të bëra nga presidenti i Serbisë në paraqitjen e tij të sotme para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ku ai, mes të tjerash, zanafillën e agresionit rus në Ukrainë e sheh te pavarësimi i Kosovës, dhe paturpshëm pretendon se më 2008 Serbisë i ka ndodhur kjo që po i ndodh Ukrainës sot”, ka reaguar Gërvalla.

Ajo ka përsëritur faktet se Kosova është shpallur e pavarur më 17 shkurt 2008 si përmbushje e vullnetit të popullit dhe se deklarata e shpalljes së pavarësisë nuk përbën shkelje dhe se këtë e ka vendosur edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. “Me këto shpifje dhe përpjekje për shtrembërim të historisë, presidenti i Serbisë ka keqpërdorur rëndë foltoren e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Nëse ka një ngjashmëri mes agresionit rus në Ukrainë dhe rastit të Kosovës, ajo është vetëm te fakti se Rusia sot ka marrë në shënjestër Ukrainën dhe ukrainasit ashtu si Serbia më 1999 kishte marrë në shënjestër Kosovën dhe shqiptarët e Kosovës. Kjo edhe është arsyeja pse Republika e Kosovës sot përkrah pa asnjë hezitim Ukrainën në luftën e saj të drejtë kundër agresorit kriminal rus. Kjo njëkohësisht duket qartë se është arsyeja pse Serbia vazhdon të mbështesë Rusinë e Putinit, siç e konfirmoi hapur dhe pa dilemë vetë presidenti i Serbisë në të njëjtin fjalim në OKB”, ka thënë Gërvalla.

Ajo ka vazhduar se Vuçiqi me këtë fjalim ka shkelur edhe zotimet që i ka dhënë para Bashkimit Evropian “kur e ka pranuar marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit në mes të Kosovës dhe Serbisë, të datës 27 shkurt 2027, dhe aneksin zbatues të datës 18 mars 2023, neni 2 i së cilës përcakton qartë se raportet mes Kosovës dhe Serbisë do të ndërtohen bazuar në parimet e Kartës së OKB-së, posaçërisht atyre që ndërlidhen me barazinë sovrane të shteteve, respektimin e ndërsjellë të pavarësisë dhe integritetit territorial”.

Gërvalla ka thënë se në bazë të asaj marrëveshjeje, Vuçiqi para OKB-së është dashur të bënte thirrje për anëtarësimin e Kosovës e jo të lansonte të pavërteta. Ajo e ka akuzuar Vuçiqin dhe Serbinë edhe për shtrembërim të fakteve për akuzat se Kosova po e bllokon dialogun. “Bllokuese e dialogut është Serbia dhe presidenti i saj, i cili ka refuzuar nënshkrimin e Marrëveshjes. Ndërmjetësve ndërkombëtarë u ka thënë se e pranon, ndërsa publikut në Serbi i thotë se nuk e pranon marrëveshjen e plotë. Ndoshta deklarimet e tilla të njeriut që ka qenë bashkëpunëtor i afërt i krimineleve të luftës, Slobodan Millosheviq e Vojislav Sheshel, mbase mund edhe ta befasojnë dikë në Perëndim që vazhdon të besojë se presidenti aktual i Serbisë është një partner i mundshëm demokratik i BE-së dhe NATO-s. Por, kjo nuk është befasi për Republikën e Kosovës dhe qytetarët e saj, të cilët e njohin shumë mirë ish-ministrin e propagandës të Millosheviqit, sot sundimtarin e Serbisë dhe aleatin e Putinit në Ballkan. E njohin edhe politiken që ai përfaqëson, e cila, fatkeqësisht, vazhdon ta mbajë peng të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, para së gjithash popullin serb”, ka thënë Gërvalla në reagimin e saj.

Në fund të reagimit Gërvalla i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare, posaçërisht BE-së dhe ShBA-së, ta dënojnë gjuhën e Vuçiqit dhe t’ia rikujtojnë obligimet që ka marrë në Bruksel dhe Ohër.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Real Madrid nuk është vetëm skuadra më e titulluar brenda…