Bilanci i operacionit në veri nga Policia: Tre terroristë të vrarë, gjashtë të arrestuar dhe qindra armë të gjetura në Manastirin e Banjskës

24 shtator 2023 | 21:30

Policia e Kosovës ka njoftuar mbi bilancin e operacionit në Manastirin e Banjskës në Zveçan – komunë e banuar me shumicë serbe në veriun e vendit – ku janë vrarë tre terroristë, janë arrestuar gjashtë persona me uniforma ushtarake dhe të armatosur rëndë, katër prej të cilëve dyshohen se kanë bashkëpunuar me grupin terrorist.

“Deri më tani sipas informacioneve nga terreni tre sulmues janë vrarë, janë arrestuar dy sulmues dhe katër persona të dyshuar të cilët ishin hasur nën posedim ilegal të radiolidhjeve, e të cilët dyshohet se ndërlidhen me grup terroristë”, ka njoftuar Policia e Kosovës nëpërmjet një komunikate për media të dielen në mbrëmje.

Intensiteti i sulmeve ndaj zyrtarëve policorë ka rënë, thuhet më tej në komunikatën plotësuese të organeve të rendit, por situata e sigurisë ende vazhdon të jetë e tensionuar, përderisa njësitet policore gjatë kontrollit në disa lokacione, objekte banimi dhe në disa automjete që janë përdorur nga grupi terrorist për bllokim të rrugëve, janë gjetur të mbushura përplot me arsenal armësh.

“Sipas informacioneve fillestare bëhet fjalë për gjetjen e dhjetëra, qindra armëve të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm, uniforma dhe pajisje logjistike, përfshirë armë ushtarake të kalibrit të rëndë si granata, zolla, mitralozë, kallashnikov etj. etj.”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e Policisë së Kosovës pas operacionit në Manastirin e Banjskës.

Policia e Kosovës nën udhëheqjen e prokurorit të Prokurorisë Speciale të Kosovës, në bashkëkoordinim edhe me Misionin e Bashkimit Evropian (BE) për Sundim të Ligjit (EULEX) dhe Misionin Paqeruajtës të NATO-së në Kosovë (KFOR), kanë hyrë në objektet përcjellëse të Manastirit të Banjskës, për realizim të detyrave zyrtare.

Një zyrtar i Policisë së Kosovës është vrarë dhe dy të tjerë janë plagosur pas sulmeve ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit mëngjesin e hershëm të së dielës nga një grup terrorist i armatosur rëndë, ndërsa autoritetet kosovare kanë thënë se sulmi ndaj shtetit të Kosovës është realizuar me mbështetjen e shtetit të Serbisë.

Shtetet e QUINT-it (Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Franca, Italia dhe Britania e Madhe) dhe BE-ja kanë dënuar ashpër vrasjen e policit kosovar, Afrim Bunjaku, ndërsa autoritetet kanë njoftuar se kanë qenë së paku 30 persona të armatosur rëndë, profesionistë, ushtarakë e policë, të cilët janë neutralizuar nga forcat policore.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeff Hovenier, i…