Rama pas shpalljes së zisë nga Serbia: Po i fryn si asnjëherë më parë zjarrit të një konflikti të armatosur

26 shtator 2023 | 14:56

Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, ka shprehur shqetësimin e tij për veprimin e Serbisë pas sulmit terrorist ndaj Kosovës.

Ai ka thënë se beson se shpallja e ditës së zisë nga Serbia është “sinjali më i keq që Serbia mund t’i jepte rajonit dhe komunitetit euro-atlantik”.

Kryeministri shqiptar ka shprehur bindjen se me këtë veprim, Serbia “i fryn si asnjëherë më parë qysh prej vitit 1999, zjarrit të një konflikti të armatosur!”.

Rama ka kërkuar nga  bashkësia euroatlantike që ta dënojë Serbinë. “Ky është momenti që Serbia duhet ta ndajë qartë dhe prerë mendjen nëse do të jetë me Evropën dhe botën demokratike të shekullit XXI apo me hijen e vetvetes së fundshekullit XX; me vlerat dhe parimet e Bashkimit Evropian e të komunitetit euro-atlantik apo me fantazmat dhe me krimet e të shkuarës së saj të palavdishme të viteve ’90”, ka shkruar Rama në “X”.

Po ashti, ai ka kërkuar që edhe BE-ja me ShBA-të ta ndezin alarmin demokratik për të ndalur përshkallëzimin e situatës në veri të vendit. “Ky është momenti kur Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara duhet ta ndajnë qartë e prerë mendjen nëse do ta ngrenë në nivelin më të lartë alarmin demokratik për ta ndalur përshkallëzimin e konfliktit në veriun e Kosovës, i cili ka hyrë në fazën e vet më të rrezikshme qysh prej vitit 1999 apo do të vazhdojnë t’i mbajnë dialogun për Normalizim dhe angazhimin e KFOR-it në të njëjtin nivel krejt të pamjaftueshëm tanimë! Kjo e dyta sot është krejt e pakëshillueshme, por nesër mund të bëhet krejt e pajustifikueshme, sepse nesër mund të jetë vonë edhe për të parën! Prandaj apeli i Shqipërisë për miqtë e mëdhenj e aleatët strategjikë të Ballkanit Perëndimor është: Veprimin e sotëm, mos e lini për nesër!”, ka shkruar Rama, duke i bërë thirrje Kosovës që të reflektojë karshi kësaj situate.

“Ky është momenti kur edhe Kosova duhet të reflektojë shumë seriozisht dhe të ndajë mendjen qartë e prerë, nëse do të vazhdojë në kursin e veprimit të shkëputur nga miqtë e saj të pazëvendësueshëm dhe aleatët e saj të padiskutueshëm apo do të veprojë në harmoni e mirëkuptim me komunitetin euro-atlantik, për të arritur qëllimin më madhor në histori pas fitores së luftës e shpalljes së pavarësisë, njohjen përfundimtare si shtet anëtar i këtij komuniteti! Të gjitha rrugët e tjera përveç kësaj të dytës janë rrugë iluzionesh me përfundime të dhimbshme, të cilat e largojnë Kosovën nga qëllimi madhor, e zbrazin atë nga shpirti i ardhmërisë dhe e kthejnë në mënyrën më absurde peng të paqes në mes të Evropës, pasi ka dalë fitimtare nga lufta për t’u bërë një vend i lirë evropian”, ka shkruar Rama.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Netflix e ka sjellë datën e publikimit të sezonit të…