Kurti: Serbia të sanksionohet e ndëshkohet ndërkombëtarisht, ndryshe do ta përsërisë krimin

28 shtator 2023 | 12:28

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në seancën e sotme të Kuvendit, ka thënë se të dielën e 24 shtatorit përjetuam sulm agresor të bandave kriminale e terroriste të Serbisë, jo vetëm ndaj Policisë së Kosovës, por edhe ndaj shtetit, republikës e rendit dhe sigurisë tonë.

“Sulmi i orkestruar nga bandat e maskuara kriminale e terroriste vrau zyrtarin tonë policor Afrim Bujakun dhe plagosi një zyrtar tjetër. Ishte ditë e rëndë për vendin tonë. Vrasja e tij u kthye në angazhim më të shtuar në luftimin e  bandave kriminale e terroriste dhe në fitore të betejës nga Policia e Kosovës”, tha Kurti.

Kryeministri shtoi se terroristët ose janë vrarë, ose janë arrestuar ose janë në ndjekje pasi që ikën.

“Afrim Bunjaku është heroi më i ri i Kosovës. Ai u vra në pritë në orën 03:00 të mëngjesit kur ishte ende errësirë. Me të zbardhur dita u pa se çfarëdo grupe kriminale e terroriste nuk kanë shanse me Policinë e Kosovës”, tha Kurti.

Kurti theksoi se në Banjskë kishte sulm terrorist e kriminal që cenoi sigurinë, sovranitetin shtetëror dhe integritetin territorial.

“Sulmuesit që ikën duhet të ekstradohen të dorëzohen në organet e Republikës së Kosovës”, tha ai.

Kryeministri kërkoi që organizatat “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada Veriore” të shpallen organizata terroriste edhe nga shtetet mike e aleate të Kosovës.

Kurti gjithashtu kërkoi ndëshkim ndërkombëtar për Serbinë.

“Serbia duhet të sanksionohet e të ndëshkohet ndërkombëtarisht, nëse kalon e pandëshkuar ajo do ta përsërisë krimin”, tha Kurti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, në një konferencë për shtyp,…