Miratohet rezoluta e Kuvendit që dënon sulmin në veri

28 shtator 2023 | 14:03

Kuvendi i Kosovës ka miratuar rezolutën që dënon sulmin terrorist në veri të Kosovës. Të gjithë deputetët e pranishëm, 96 kanë votuar pro.

Deputetët e Kosovës përmes një rezolute të votuar sot në Kuvend, kanë dënuar sulmin terrorist që la të vrarë policin Afrim Bunjaku, tashmë hero i vendit.

Kjo është përmbajtja e rezolutës:

“DËNON me termat më të ashpër sulmin terrorist të grupeve kriminale mbi Policinë e Kosovës më datën 24 shtator 2023, si dhe kërkon nga faktori ndërkombëtar që të ushtroj ndikimin e tij për ta ballafaquar Republikën e Serbisë me rolin e saj në raport me nxitjen, shtytjen, ndihmen dhe mbështetjen e e çdo llojshme që i ka bërë grupit terrorist ne Veri të Republikës së Kosovës”, thuhet në pikan e parë të draft-rezolutës.

“OFRON mbështetjen e plotë dhe të parezervë për Policinë e Kosovës për të vazhduar punën në ushtrimin e përgjegjësisë për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike në tërë territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në piken e tretë të dokumentit.

“4.KËRKON edhe nga Qeveria e Republikës së Kosovës që të vazhdoj punën e përbashkët për integrimin e plotë dhe bashkëjetesën mes të gjitha komuniteteve pa dallim që jetojnë në Republikën e Kosovës; 5.INKURAJON dhe MBËSHTET pluralizimin politik edhe më të madh në radhët e komuniteteve joshumicë, me theks të veçantë te komuniteti serb në Kosovë, zhvillimi i të cilit mundëson progresin demokratik dhe rrit transparencën e llogaridhënien para këtij komuniteti dhe jetëson promovimin e interesave reale të tij në Republikën e Kosovës”, është thënë në dokument.

“6. KËRKON edhe nga Qeveria e Republikës së Kosovës që të bashkëpunoj me aleatët ndërkombëtarë të Republikës së Kosovës për të fuqizuar Shtetin e së Drejtës dhe vlerat e përmbashkëta euro-atlantike duke punuar edhe më tutje në krijimin e fqinjësisë dhe bashkëpunimit të mirë me vendet e rajonit; 7. KONFIRMON besimin se pas plotësimit të kushteve përkatëse dhe mbështetjes së parnerëve ndërkombëtarë, veçanërisht rolit kyç të SHBA-ve, Republika e Kosovës do të vazhdoj të ndjek rrugën për zhvillimin dhe përfundimin e dialogut me Republikën e Serbisë me qëllim arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të detyrueshme ndërmjet dy shteteve.

Ndryshe, në një akt terrorist, një formacion prej 30 personave të armatosur rëndë sulmuan sulmuan Policinë e Kosovës në fshatin Banjska të dielën. Nga ky sulm, një polic i Kosovës mbeti i vrarë e dy të tjerë të plagosur.

Autoritetet e Kosovës njoftuan vdekjen e tre terroristëve të dielën, më pas më 25 shtator u konfirmua se ishte zbuluar trupi i një sulmuesi të katërt. Gjashtë persona janë arrestuar po ashtu.

Ndërkohë, Policia e Kosovës gjatë këtyre dy ditëve zhvilloi aksione për neutralizimin e këtij grupi.

Aktualisht, gjendja në veri është e qetë pas sulmit terrorist të së dielës nga persona të armatosur rëndë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Skuadra e Interit pësoi humbje nga Sassuolo me rezultat 1-2.…