Osmani për ‘Reuters’-in: Kosova është nën sulm

28 shtator 2023 | 15:57

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka akuzuar Serbinë dhe presidentin e saj Aleksandër Vuçiq se janë pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveqanit të dielën e 24 shtatorit.

Sulmi më i madh që nga pas lufta e vitit 1999, ka ngjallur reagime të shumta tek komuniteti ndërkombëtar.

Në një intervistë për “Reuters”-in, presidentja Osmani ka akuzuar presidenti serb se ndodhet pas sulmit terrorist, me qëllim që të arrijë krijimin e “Krimesë në Republikën e Kosovës”.

“Ajo që unë do t’i thosha presidentit Vuçiq është ndaloni ngatërresat me Kosovën. Kosova do ta mbrojë lirinë, pavarësinë dhe sovranitetin e saj me çdo çmim. Ata po përpiqen të kryejnë një model të Krimesë në Republikën e Kosovës, por ne absolutisht nuk do ta lejojmë të ndodhë… Ne do të mbrojmë çdo pëllëmbë të territorit të Kosovës”, thënë Osmani.

Ajo ka thënë se Qeveria e Kosovës ka publikuar fakte që tregojnë se grupi ka qenë i trajnuar, i armatosur dhe ka marrë mbështetje të tjera nga qeveria e Beogradit dhe agjencitë e sigurisë.

Osmani ka thënë se sulme të ngjashme mund të përsëriten edhe në një të ardhme të afërt dhe ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që të bëjë gjithçka që Serbia të mos përkrahë grupe të tilla.

“Jam shumë e shqetësuar se sulme të tilla, qoftë edhe më të mëdha, mund të ndodhin në të ardhmen nëse Serbia nuk dënohet, para së gjithash për këtë akt terrorist agresioni”, ka thënë Osmani.

Kosova dhe Serbia kanë më shumë se një dekadë në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve, në një proces ndërmjetësimi të udhëhequr nga Bashkimi Evropian. Në fillim të këtij viti ata ranë dakord për një marrëveshje të propozuar nga BE, por që atëherë ata nuk kanë qenë në gjendje të bien dakord se si ta zbatojnë atë.

Osmani ka thënë se bisedimet mes të dyve nuk mund të vazhdojnë si më parë.

“Absolutisht nuk është më biznes si zakonisht. Ne kemi qenë viktima të një agresioni të Serbisë dhe të gjithë duhet ta trajtojnë atë si të tillë, edhe në qasjen e tyre ndaj Serbisë tani e tutje”, ka thënë Osmani.

Policia e Kosovës ka arritur vrasjen e tre terroristëve serbë, ndërsa ka arrestuar edhe tetë të tjerë si të dyshuar për përfshirjen në sulmin terrorist. Përpos kësaj, Policia e Kosovës ka sekuestruar edhe armatim, që sipas llogaritjeve arrin vlerën e 5 milionë eurove.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Federata e Futbollit të Kosovës e ka dënuar me ashpërsi…