Jashari në konferencën e Kartës së Adriatikut kërkon që Serbia të dënohet për sulmin në veri

28 shtator 2023 | 16:06

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka thënë se është koha që Kosova të anëtarësohet në Kartën e Adriatikut.

Ai këtë deklaratë e ka dhënë në Konferencën e Shefave të Mbrojtjes së Kartës së Adriatikut  – ShBA, e cila po mbahet  në Shkup.

Gjatë fjalimit të tij, Jashari ka folur edhe për sulmin terrorist në veri të vendit më 24 shtator, ku kërkoi dënimin për ato shtete që përkrahin sulme të tilla.

“Gjeneral Jashari foli për sulmet e ndodhura në veri të Kosovës dhe për faktin që ato janë kërcënim për stabilitetin e Kosovës dhe të rajonit. Gjenerali ritheksoi që gjëra të tilla nuk bën të përsëriten dhe shtetet të cilat i përkrahin ato duhet të marrin dënimin e merituar. Në fund, gjeneral Jashari zyrtarisht u deklaroi pjesëmarrësve që ka ardhur koha që Kosova të bëhet anëtare e plotë e Kartës së Adriatikut”,  ka njoftuar  Ministria së Mbrojtjes.

Komandanti i FSK-së me delegacionin e tij ka realizuar takime bilaterale me delegacionin amerikan të prirë nga gjeneral Christopher Cavoli, komandant i Forcave Amerikane për Evrope (EUCOM).

“Gjatë takimit Gjeneral Jashari prezantoi të arriturat e FSK-së dhe falënderoi gjeneralin Cavolin për mbështetjen dhe partneritetin në fushën ushtarake mes dy vendeve. Po ashtu, u diskutua situata e sigurisë në vendin tonë dhe sfidat rreth saj”, ka njoftuar Ministria e Mbrojtjes.

Gjeneral Cavoli e ka përgëzuar gjeneral Jasharin për lidershipin e tij dhe njëherit ka ritheksuar se ShBA-ja do të vazhdojnë ta mbështesë FSK-në në rrugën e zhvillimit të kapaciteteve ushtarake dhe atyre të mbrojtjes.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka akuzuar Serbinë dhe presidentin…