Hoti: Hetimi për sulmin terrorist në veri duhet të shtrihet edhe në Serbi

29 shtator 2023 | 13:56

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se është shumë e rëndësishme që krahas hetimit për sulmin terrorist të normalizohet jeta e qytetarëve në komunat në veri.

Sipas tij, këto hetime duhet të jenë shumë profesionale dhe në koordinim me ndërkombëtarët.

“Hetimi sigurisht se duhet të shtrihet edhe në Serbi, si pjesë e një hetimi ndërkombëtar që duhet të ndërmerret për këtë sulm”, ka shkruar Hoti në “Facebook”.

Postimi i plotë i Hotit:

Është shumë e rëndësishme që, krahas hetimit për sulmin terrorist, të normalizohet jeta e qytetarëve në komunat në veri.
1. Hetimet e institucioneve të Kosovës lidhur me sulmin terrorist të 24 shtatorit duhet të jenë shumë profesionale e të kujdesshme, si dhe në koordinim të ngushtë me institucionet ndërkombëtare të sigurisë që janë të vendosura në Kosovë. Hetimi sigurisht se duhet të shtrihet edhe në Serbi, si pjesë e një hetimi ndërkombëtar që duhet të ndërmerret për këtë sulm.
2. Është shumë e rëndësishme që, paralelisht me këto hetime, të punohet për normalizim të shpejtë të jetës së përditshme në ato komuna. Në këtë drejtim, duhet të vendoset komunikim i ngushtë me komunitetin serb në çdo lokalitet përmes këshillave lokale për t’i mbajtur të informuar dhe për t’i siguruar se do të kenë mbrojtjen e nevojshme. Qytetarëve atje, e kemi për obligim tu krijojmë ambient të sigurt që të dërgojnë fëmijët në shkollë, të kryejnë obligimet e tyre familjare e të punës, si dhe të lëvizin lirshëm.
3. Pikat kufitare duhet të hapen sa më parë dhe të normalizohet qarkullimi, por edhe të sigurohet mbikëqyrje e plotë e vijës kufitare nga ana e KFOR-it.
4. Ndërkaq, zgjidhja e përhershme afatgjate në veri duhet të jetë politike, përmes dialogut, dhe në koordinim të plotë me aleatët euro-atlantik, në veçanti ShBA-në.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
A e dini se në Petrol Company përfitoni shumë zbritje…