Radoiçiqi pranon se ka qenë në Banjskë më 24 shtator

29 shtator 2023 | 14:13

Millan Radoiçiq e ka marrë përgjegjësinë për sulmet ndaj Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit më 24 shtator dhe ka thënë se i ka bërë të gjitha përgatitjet logjistike për ngjarjet e asaj dite.

Ai e ka bërë këtë deklaratë përmes një letre të lexuar nga avokati i tij Goran Petronijeviq për publikun, nga Beogradi.

Si pasojë e përleshjeve të Policisë me një grup të armatosur në këtë pjesë në veri të Kosovës – të banuar me shumicë serbe – kanë vdekur një zyrtar policor dhe tre sulmues.

“Po i njoftoj të gjithë persekutorët vigjilentë të popullit serb, prej Kurtit e te ndihmësit e tij të shumtë të huaj, se unë personalisht i kam bërë të gjitha përgatitjet logjistike për mbrojtjen e popullit tonë kundër pushtuesit dhe ky akt i imi nuk ka asnjë karakter apo qëllim tjetër, dhe nuk ka të bëjë fare me të kaluarën time”, ka thënë ai, duke iu referuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Avokati, duke e lexuar letrën e Radoiçiqit, ka thënë se për veprimet e tij, Radoiçiq nuk e ka njoftuar askënd prej strukturave qeveritare serbe apo atyre politike lokale në veri të Kosovës, dhe as nuk e ka pranuar “ndonjë ndihmë” prej tyre.

Radoiçiq ka thënë se me ta ka pasur qëndrime të ndryshme në lidhje me “metodat e mëparshme të rezistencës ndaj terrorit të Kurtit”, dhe se atyre u është kërkuar “të tërhiqen pa arritur ndonjë rezultat të dukshëm”.

“Sepse na u tha se në këtë mënyrë do të kontribuojmë në ulje shtensionim, dhe se bashkësia ndërkombëtare dhe KFOR-i do të bëjnë gjithçka për të mbrojtur popullin tonë. Pala tjetër nuk e ka perceptuar qetësimin tonë të situatës si vullnet të mirë dhe krijimin e kushteve për negociatat, por si dobësi”, është thënë mes tjerash në letër.

Radoiçiq i ka akuzuar autoritetet në Prishtinë, të udhëhequra nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për “pushtim të paligjshëm të veriut të Kosovës”.

“Arsyeja e kthimit tonë ishte inkurajimi i serbëve, popullit të asaj zone, për t’i rezistuar terrorit të regjimit të Kurtit, duke mbrojtur njerëzit tanë, që çdo ditë i ekspozohen atij terrori”, ka thënë ai.

Kush është Petronijeviq, i autorizuari i Radoiçiqit?

Petronijeviq ka qenë “vëzhgues” në zgjedhjet e mbajtura javë më parë nga autoritetet ruse në territoret e pushtuara ukrainase.

Përgjatë regjimit të ish-liderit serb, Sllobodan Millosheviq, ai ka qenë gjyqtar në Gjykatën e Pejës në Kosovë.

Në atë pozitë, në maj të vitit 2000, ai i ka dënuar 150 shqiptarë të Kosovës me një total prej 1.600 vjetëve burgim nën dyshimet për kryerje të terrorizmit.

Ai është larguar nga pozita e gjyqtarit pas ndryshimeve demokratike të 5 tetorit në Serbi, dhe më pas e ka ushtruar profesionin e avokatit.

Para gjykatës ndërkombëtare, ai i ka përfaqësuar disa klientë nga Serbia, të akuzuar për krime lufte.

Më i famshmi është Radovan Karaxhiq, presidenti i parë i Republikës Sërpska në Bosnje e Hercegovinë, i cili është dënuar me burgim të përjetshëm në Gjykatën e Hagës për krime lufte.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këshilli i NATO-s është mbledhur të premten për të diskutuar…