Granti për komunat në vitin e ardhëm është 284.7 milionë euro

02 tetor 2023 | 13:43

Një minutë heshtje është mbajtur për rreshterin e rënë në detyrë, Afrim Bunjaku, në takimin e përbashkët me kryeministrin Albin Kurti, ministrat e linjës dhe kryetarët e komunave të hënën.

Kurti u shpreh se ky takim i gjen me një lajm të mirë, atë për organizimin e Lojërave Mesdhetare në vitin 2030. Sipas tij, komunat do të kenë mundësi të përfitojnë shumë investime.

“Ky format na shërben që përmes diskutimit të kujdesemi për mirëqenien e qytetarëve. Po bëhet viti i dytë që rritja e buxhetit është me shifra të larta, e buxheti i vitit 2024 do të jetë 90 milionë euro më i lartë se viti paraprak. Granti i përgjithshëm për vitin e ardhëm është 284.7 milionë euro”, ka thënë Kurti.

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Agim Aliu ka kritikuar qeverinë për qasjen komunikuese e po ashtu edhe për Ligjin për Vetëqeverisje Lokale dhe Tatimin në Pronë.

“Ne kryetarët e komunave kemi bindjen që duhet të ndryshojë qasja komunikuese. E tillë është edhe qasja për ligjin për vetëqeverisje lokale, për të cilën AKK-ja u përjashtua nga konsultimi, duke cenuar kështu edhe autonominë lokale”, u shpreh Aliu, duke përsëritur edhe njëherë kërkesat e komunave për qeverinë.

“1. Themelimi i Grantit të Katërt që do të krijoj barazi për komunat e Kosovës. 2. Përshpejtimi i procedurave në nxjerrjen e akteve nënligjore (në bazë të Ligjit të ri për Zyrtarët Publik) që rregullojnë procedurat e rekrutimit në komuna, me theks lejimin e listës pritëse në arsim dhe shëndetësisë. 3. Kthimin e pronave të menaxhuara aktualisht nga Agjencia Kosovare e Pronave, në menaxhim të Komunave, prona këto që janë përcaktuar dhe të shpallura nga komunat për interes publik e për të cilat komunat i kanë nisur procedurat e projekteve dhe kanë njoftuar me shkrim nivelin qendror. Këtu më lejoni që të vë spikamën edhe në nevojën e ndërmarrjes së veprimeve të shpejta, përkitazi më këto prona, kur së fundmi, siç dihet jemi përzgjedhur për organizimin e Lojërave Mesdhetare, e ku parashihen investime të shumta në infrastrukturë sportive po kështu edhe ndërtimi i kapaciteteve të reja sportive – stadiumeve për të cilën kemi nënshkruar marrëveshjet me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Fakte këto që bëjnë të menjëhershme nevojën e reagimit nga niveli qendror, për të mundësuar zhvillimin e projekteve në këto prona, kur dihet mirëfilli se shumë nga komunat nuk kanë hapësira në pronësi komunale që do t’i mundësonte zhvillimin e këtyre projekteve”, ka thënë Aliu.

Më tej, Aliu si kërkesë të radhës tha “Të krijohen mekanizma ligjor për bartjen e pronave të menaxhuara nga Agjencia e Pyjeve për zhvillim të projekteve si dhe në raste të tjera të ketë shmangie të procedurave burokratike për dhënien e lejeve për zhvillim të projekteve komunale, të cilat bartin interesin publik mbi të gjitha. 5. Të mos lejohet që Zonat Ekonomike në komuna të kalojnë në përgjegjësi të nivelit qendror por të vazhdojnë të administrohen nga Komunat. 6. Të rikthehet Projektligji për Prokurimin Publik për plotësim ndryshime sepse aktualisht po shkakton telashe e vonesa në nivelin lokal në kryerje të shumë punëve e zhvillimin e projekteve”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas një sezoni që nisi mjaft mirë për mbrojtësin koreano-jugor…