SBAShK-u ankohet tek Unioni i Sindikatave të Arsimit të Evropës për qeverinë Kurti

03 tetor 2023 | 11:35

Pasi kishin marrë pjesë në punimet e Kongresit zgjedhor të Sindikatës së Pavarur të Arsimit të Shqipërisë në Tiranë, kryetari i SBAShK-ut Rrahman Jasharaj bashkë me nënkryetaren Vjollca Shala e koordinatorin për organizim të brendshëm Ymer Ymeri janë takuar me kryetarin e Unionit të Sindikatave të Arsimit të Evropës, Larry Flanagan, të cilin e kanë informuar për aktualitetin në arsimin e Kosovës dhe për angazhimet në shërbim të anëtarësisë, por edhe për sfidat e shumta të kohës duke u fokusuar te qasja e gabueshme e Qeverisë ndaj sindikatave dhe te mungesa e dialogut me fajin e institucioneve qendrore të Kosovës.

Përfaqësuesit e SBAShK-ut kanë kërkuar nga kryetari Flanagan që të ngrit në organet e Unionit, që përfaqëson 11 milionë anëtarë, por edhe në institucione të tjera shqetësimin se Qeveria e Kosovës duke tërhequr vazhdimisht vëmendjen e opinionit me rrjedhën e dialogut me Serbinë, po vazhdon përpjekjet për shuarjen e zërit sindikal duke mos ndalur goditjet ndaj sindikatave dhe duke mohuar dialogun me to.

Kryetari Flanagan ka përgëzuar SBAShK-un për angazhimet dhe është shprehur se ka shumë informacione për angazhimet dhe sfidat, informacione këto të cilat i ka marrë nga drejtoresha e përgjithshme e Unionit të Sindikatave të Arsimit të Evropës, Suzan Flocken dhe se SBASHK-u ka pasur dhe ka mbështetjen e fuqishme të ETUCE-s në gjithë angazhimet për mbrojtjen e të drejtave të anëtarësisë dhe realizimit të kërkesave të tyre legjitime.

Flanagan ka shprehur shqetësimin e tij dhe të Unionit që përfaqëson për qasjen e gabuar të Qeverisë së Kosovës ndaj sindikatave dhe dialogut dhe ka siguruar përfaqësuesit e SBAShK-ut se këto shqetësime do t’i prezantojë edhe në takimet e organeve të ETUCE-s në Bruksel, por edhe në institucionet ndërkombëtare që merren me dialogun social.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Brenda 24 orëve policia ka shqiptuar 2 mijë e 362…