Kosova përgatitet për pjesëmarrje në Expo 2025 në Osaka
Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, ka pritur të mërkurën në një takim ambasadorin jorezident të Japonisë në Kosovë, Ryuta Mizuuchi.
Situata e sigurisë në vend, zgjerimi i bashkëpunimit ekonomik në mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Japonisë, si dhe bashkëpunimi në fushën akademike ishin temat kryesore të këtij takimi.
Sa i përket pikës së parë, zëvendësministrja Gashi fillimisht njoftoi ambasadorin Mizuuchi, për sulmin terrorist të 24 shtatorit ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës dhe theksoi rëndësinë e parandalimit të agresionit të Serbisë ndaj Kosovës.
Ndërkaq në lidhje me zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik diskutimi u fokusua në Marrëveshjen e Bashkëpunimit Ekonomik në mes dy vendeve, sjelljen e investitorëve japonez në vendin tonë si dhe përgatitjen e Republikës së Kosovës për pjesëmarrje në Expo 2025 në Osaka.
Bashkëpunimi në fushën akademike, respektivisht në mes universiteteve të të dyja vendeve ishte një tjetër temë e këtij takimi, për të cilën pritet edhe nënshkrimi i një memorandumi të mirëkuptimit në mes institucioneve respektive.
Zëvendësministrja Gashi për fund falënderoi ambasadorin Mizuuchi për vizitën dhe shprehi gatishmërinë për bashkëpunim më të ngushtë në fushat me interes të përbashkët në mes dy vendeve.