Vrau babë e bir për mal në Drenas, burgim i përjetshëm për Xhafer Bardhin, djali i tij lirohet nga akuza

09 tetor 2023 | 14:15

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Xhafer Bardhit, duke e dënuar me burgim të përjetshëm lidhur me akuzën se si rezultat i një mosmarrëveshjeje pronësore kishin privuar nga jeta 15-vjeçarin A.M., dhe prindin e tij B.M. Kurse, djali i tij Amir Bardhi është liruar nga akuza.

Aktgjykimi ndaj dy të akuzuarve është shpallur të hënën nga kryetari i trupit gjykues Agim Kuçi, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Sipas aktgjykimit, i akuzuari Amir lirohet në mungesë të provave dhe të njëjtit i ndërpritet masa e paraburgimit.

Po ashtu, konfiskohet arma me të cilën është kryer vepra penale.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 28 shkurt 2022, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, të pandehurit Xhafer Bardhi dhe Amir Bardhi, ngarkoheshin se më 5 prill 2021 në vendin e quajtur “Zabel” në pyllin e fshatit Gradicë, për shkak të një mosmarrëveshje pronësore rreth së drejtës së shfrytëzimit të malit, me dashje të pandehurit Bardhi në bashkëkryerje kanë privuar nga jeta të miturin- tani të ndjerin A.M 15-vjeçar dhe prindin e tij B.M.

Aktakuza theksonte se të njëjtit kanë vënë në rrezik dhe jetën e personave tjerë, të dëmtuarave Valdrin, Valmir dhe Driton Muja, në atë mënyrë që derisa i pandehuri Amir Bardhi ka qenë duke ecur rrugës së malit bashkë me djalin e axhës së tij, dëshmitarin Fisnik Bardhi, aty takohen me të dëmtuarin Valdrin Muja, i cili ka shkuar nga mali, vendi ku ka qenë duke prerë drunj, për ta marrë traktorin dhe për të ngarkuar drunjtë të cilat kanë qenë duke i prerë në mal.

Më pas, aktakuza ka theksuar se Amiri e ka pyetur Valdrinin se “çka jeni duke bërë?” dhe se i njëjti i tregon se janë duke prerë drunj në mal dhe më pas i dëmtuari Valdrin vazhdon rrugën në drejtim të vendit ku kanë qenë duke prerë drunjtë, ndërsa Amiri dhe Fisniku po ashtu ndahen.

Më tutje, në aktakuzë është thënë se i pandehuri Amir nëpërmjet telefonit e njofton të pandehurin Xhafer se të dëmtuarit janë duke prerë drunj në mal të cilët bisedojnë për 62 sekonda.

I pandehuri Xhafer i cili ka qenë në shtëpi është thënë se i merr dy drita për ndriçim të cilat vendosen në kokë, merr armën-pushkën e gjuetisë dhe niset më veturën e tipit “Golf 2” e rrugës bëhen bashkë të dy të pandehurit dhe vazhdojnë në drejtimi të vendit ku të dëmtuarit kanë qenë duke prerë drunj.

Aty, i pandehuri Amiri është thënë se ka kontribuar në kryerjen e veprës penale, duke ndriçuar me njërën dritë për të krijuar mundësinë për gjuajte të pandehurit Xhafer, e po ashtu edhe i pandehuri Xhafer ka ndriçuar me njërën dritë dhe menjëherë ky i fundit ka shtënë me armë në drejtim të të dëmtuarit tani të ndjerit A.M i cili në atë moment bërtet “babë më rroki”.

Pastaj, kur i ndjeri B.M dhe i dëmtuari Valdrin kanë shkruar në drejtim të A.M për t’i dhënë ndihmë, atëherë thuhet se i pandehuri Xhafer prapë shkrep dhe e qëllon tani të ndjerin B.M në kokë, ku më pas i kishte thënë të pandehurit Amir “ikim bir se u bo m**”.

Aktakuza ka theksuar se në vendin e ngjarjes janë gjetur 16 gëzhoja të vogla me të cilat i kanë rrezikuar edhe të dëmtuarit Valdrin, Valmir dhe Driton Muja, të cilët kanë qenë prezent duke prerë dhe bartur drunj, ku këta dy të fundit janë alivanosur pas dy të shtënave.

Gjithnjë sipas aktakuzës, për të ndjerin A.M në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Drenas është konstatuar vdekja e tij, ku vdekja e tij është e dhunshme dhe ka ardhur si rrjedhojë e gjakderdhjes masive të brendshme dhe të jashtme si pasojë e veprimit dinamik të predhave të hedhura nga arma e gjuetisë. Ndërsa, tani i ndjeri B.M  ka pësuar lëndime të rënda trupore, ku më 15 prill 2021 ndërron jetë në QKUK edhe ai si pasojë e plagëve vdekjeprurëse.

Me këtë, të pandehurit Bardhi akuzoheshin se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1, pika 1.1, 1.5 dhe 1.11 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Kurse sipas dispozitivit të dytë të kësaj akuze, i pandehuri Xhafer në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla ka pasur në posedim armën-pushkën e gjuetisë të cilën e ka punuar vetë. Me këtë, i pandehuri Xhafer Bardhi akuzohej edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, paragrafi 1 të KPRKsë./BetimipërDrejtësi

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky,  ka thënë se komuniteti ndërkombëtar…