Osmani në Kroaci: Serbia planifikonte aneksimin e veriut, ndërkombëtarët të tregojnë vendosmëri për sanksione

10 tetor 2023 | 12:39

Presidentja e  Kosovës, Vjosa Osmani pas takimit me presidentin kroat, Zoran Milanoviq në një konferencë të përbashkët për medie, ka thënë se miqësia dhe partneriteti ndërmjet dy vendeve mbetet i palëkundur.

Osmani nga Zagrebi ka folur edhe rreth sulmit terrorist të 24 shtatorit në veri të Kosovës, duke bërë thirrje sërish nga komuniteti ndërkombëtar që ta sanksionojë Serbinë për rolin e saj në këtë agresion ndaj shtetit të Kosovës.

Osmani ka thënë se nëse kjo nuk ndodh, shteti serb do të përsërisë sulmet terroriste e agresionin ndaj shtetit të Kosovës.

Ajo ka theksuar se me 24 shtator, Serbia kishte synim ta aneksonte veriun e Kosovës.

“Miqësia dhe partneriteti ynë është i rrënjosur thellë në vlerat e përbashkëta, të cilat shërbejnë si urë lidhëse ndërmjet shteteve tona e popujve tanë. Kosova në periudhën e fundit po përballet me një nga periudhat më të rënda në 25 vitet e fundit shkaku i veprimeve hibride, nëpërmjet sulmeve terroriste e agresionit të sponsorizuar e të urdhëruar nga Serbia. Përmes kësaj shpresoj që partnerët tanë ndërkombëtarë do të dëshmojnë qartësi strategjike dhe veprime të vendosura për ta ndaluar përpjekjen e Serbisë për destabilizim, jo vetëm të Kosovës por edhe vetë rajonit. Ka pak shtete në Evropë që e kuptojnë sfidën me të cilën ne po përballemi në Kosovë, më mirë se Kroacia.  Kroacia edhe vetë në fillim të viteve 90 u përball me një matricë të ngjashme, atëherë nga regjimi i Millosheviqit”.

“Pas aktit të agresionit të 24 shtatorit, fokusi duhet të jetë tek vënia e të gjithë autorëve para drejtësisë së Republikës së Kosovës, marrja e garancive të forta të sigurisë, sidomos për ta ruajtur kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe frenimi i Serbisë, sanksionimi si masë parandaluese për sulme të tjera në të ardhmen. Nëse kjo nuk ndodhë, Serbia do të ndihet më e fuqishme, me e inkurajuar nga mosndëshkimi për të vazhduar me akte të tjera e sulme të tjera në atë që sipas të gjitha provave që kemi mbledhur deri më tani, ka qenë aneksimi i veriut të Kosovës. Kosova mbetet e palëkundur në vizionin, përpjekjet e saj për raporte të mira fqinjësore me të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Osmani.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mesfushori gjerman Toni Kroos është futur në vitin e fundit…