Ambasadorja e ShBA-së në NATO flet për situatën në veri: Rruga drejt normalizimit është dialogu

10 tetor 2023 | 14:51

Ambasadorja amerikane në NATO, Julianne Smith, ka thënë se KFOR-i do të ketë në dispozicion të gjitha kapacitetet e nevojshme për t’u përballur me sfidat në veri të Kosovës.

Para takimit të ministrave të Mbrojtjes së aleancës ushtarake perëndimore, Smith ka thënë për gazetarët se pas rritjes së dhunës në veri të Kosovës, në selinë e NATO-s ishin monitoruar nga afër zhvillimet në terren.

“Të gjithë ne këtu në selinë e NATO-s, të gjithë aleatët e kemi monitoruar situatën në terren në Ballkanin Perëndimor. Kemi qenë të shqetësuar për rritjen e shenjave për paqëndrueshmëri dhe disa pika shpërthyese ku si pasojë pamë rritje të dhunës. Për këtë arsye, KFOR-i ka marrë disa vendime në ditët e kaluara për përdorimin e forcave strategjike rezervë”, ka thënë ajo, duke shtuar se në Kosovë është rritur prania e ushtarëve nga Britania e Madhe, Rumania dhe shtetet të tjera.

Pasi më 24 shtator, Policia e Kosovës është sulmuar nga një grup i armatosur i serbëve, NATO-ja ka njoftuar për dërgimin e ushtarëve shtesë në kuadër të misionit të KFOR-it.

“E kemi thënë edhe më herët, ne të gjithë e kemi dënuar, të gjitha aleatët po e monitorojnë nga afër situatën në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Kemi qenë të shqetësuar pas ngritjes së tensioneve dhe përplasjeve që çuan në dhunë”, ka thënë ajo duke shtuar se si rezultat i tensioneve dhe dhunës KFOR-i ka vendosur të shtojë praninë.

“Ne do të vazhdojmë t’u çojmë mesazh miqve tanë në rajon se e vetmja rrugë përpara drejt normalizimit është nëpërmjet dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, që përkrahet fuqishëm nga aleanca e NATO-s”, ka shtuar ajo, duke përsëritur se “aleatët kërkojnë shtensionim”.

Si pasojë e sulmit në Banjskë të Zveçanit është vrarë rreshteri Afrim Bunjaku. Gjatë përleshjeve në mes të policisë dhe grupit të armatosur janë vrarë tre sulmues.

Kosova ka fajësuar Serbinë për sulmin, por Beogradi ka mohuar se ka gisht në të.

Ambasadorja Smith, ka thënë se aleatët e NATO-s do të vazhdojnë të konsultohen me komandantin e forcave të NATO-s, gjeneralin Christopher Cavoli, për të parë nëse ka nevojë për ndihmë shtesë në mënyrë që KFOR-i të ketë mundësi të kryejë mandatin në Kosovë dhe të përballet me të gjitha sfidat eventuale.

Ajo ka përsëritur thirrjet drejtuar gjithë partnerëve në rajon që të ndjekin rrugën e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, duke thënë se dialogu për normalizimin e raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë është rruga e vetme.

Ndryshe, ministrat e Mbrojtjes së 31 shteteve të NATO-s do të takohen të mërkurën dhe të enjten në Bruksel.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Reagim i KMDLNj-së: Procesi ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi,…