Kurti: Kriminelët keqpërdorën Manastirin e Banjskës me synimin që t’i japin ngjyrim fetar ngjarjeve të 24 shtatorit

12 tetor 2023 | 10:15

Adresimi i kryeministrit Kurti në mbledhjen e 165-të të Qeverisë.

Të nderuar zëvendëskryeministra, ministra dhe zëvendësministra,

Të dashur qytetarë,

Jemi 18 ditë pas sulmit paramilitar, terrorist dhe kriminal të 24 shtatorit. Shumëçka është ndryshe prej asaj të dielës. Gjithçka do të ishte ndryshe nëse grupi terrorist dhe planet e tyre për aneksim të katër komunave në veri të vendit nuk do të neutralizoheshin që në aktin e parë.

Ata dështuan. Dhe kjo i ka bërë shumë të dëshpëruar.

Dokumentimi para syve të botës i përfshirjes së të paktën katër shtresave të shtetit serb, përkatësisht, Presidencës, Shërbimit të inteligjencës, Ministrisë së Mbrojtës dhe ushtrisë serbe, në frymëzimin, përgatitjen, furnizimin dhe pjesëmarrjen në sulmin terrorist në fshatin Banjskë, janë motiv shtesë për skenarë tjerë destabilizues. Lirimi i Millan Radoiçiq-it, më pak se 24 orë pas arrestimit, është dëshmi dhe sinjal i potencialit për ri-grupim dhe hakmarrje, sepse me 24 shtator, Beogradi zyrtar e militar dështoi.

Institucionet tona të sigurisë dhe të inteligjencës së fundmi kanë hetuar rrezikun në rritje të inskenimeve të sulmeve të dhunshme nga grupe të strukturave kriminale të Serbisë në Kosovë.

Qëllimi i tyre kryesor është fajësimi i Policisë së Kosovës dhe paraqitja e saj si forcë shtypëse mbi serbët e Kosovës. Për të arritur këtë, nuk kanë vënë çmim tavan. Nuk do të zgjedhin mjet. Fatkeqësisht, mbështetja që grupi terrorist ka marrë nga Serbia, në njërën anë duke i trajtuar ata si heronj dhe martirë, dhe në anën tjetër duke intensifikuar aktivitetet e ushtrisë përgjatë kufirit me Republikën tonë, vetëm sa e ka inkurajuar.

Provuan ta ndryshojnë realitetin në terren përmes veprimeve të organizuara dhe koordinuara paramilitare. Nuk ia arritën.

Keqpërdorën Manastirin e Banjskës me synimin që t’i japin ngjyrim fetar ngjarjeve të 24 shtatorit. Sërish nuk ia arritën.

Tani, formacione kriminale të sponsorizuara nga fqinji ynë verior, në skenarët e tyre destabilizues ka shumë të ngjarë që dallimet etnike synojnë  t’i keqpërdorin për qëllime politike.

Për rastësi, javën që e lamë pas shënoi 23-vjetorin e rrëzimit të regjimit të Millosheviqit. E për fat të keq, 23 vjet pas 5 tetorit, regjimi aktual i Serbisë asnjëherë më parë nuk i ka përngjarë më shumë se sot, Serbisë së Millosheviqit. Në botëkuptim, e në synime, në sjellje, në metoda e në veprime.

Andaj, ju bëj thirrje, veçanërisht juve të nderuar bashkëqytetarë serbë, që ditëve, javëve dhe muajve në vijim të jeni të vëmendshëm dhe të vetëpërmbajtur nga cytjet e aktet e dhunës të inskenuara dhe dashakeqe.

Në Kosovë të gjithë jemi qytetarë të barabartë sepse shteti është ligjor dhe shoqëria është demokratike. Nuk ka komunitete të padëshiruara. Shqiptarët, serbët, boshnjakët, turqit, ashkalinjt, romët, egjiptianët, goranët dhe të gjithë të tjerët jetojnë e punojnë bashkë kudo në Kosovën tonë të dashur paqësore e proevropiane.

Ata që po duan të na rrënojnë nuk do t’ia dalin. Sepse jemi të përgatitur. Sepse jemi bashkë, me motiv të lartë dhe qëllime fisnike, për paqe dhe siguri, për të drejta dhe demokraci.

Kosova është shtet i sigurtë. Sipas Indeksit Global të Krimit të Organizuar, Kosova ka shkallën më të ulët të kriminalitetit në mesin e të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Institucionet e vendit tonë, sidomos ato të sigurisë, janë në krye të detyrës, në shërbim dhe mbrojte të të gjithë qytetarëve, pa diskriminim e favorizim. Puna dhe ligji na bashkojnë si shoqëri. Shumëllojshmëria kulturore dhe etnike na pasurojnë si vend.

Ju ftoj që të mbështeteni në Policinë e Kosovës. T’i besoni profesionalizmit të saj.

Të raportoni sjelljet e dyshimta të individëve në komunitetet tuaja.

T’i përcjellni me vëmendje njoftimet e institucioneve nëpër kanalet e tyre zyrtare.

Të mos bini pre e raportimeve të pakonfirmuara dhe të dezinformatave.

Të ruani qetësinë në çdo situatë.

Andaj, bashkëqytetarë të dashur,

Me këtë thirrje në të njëjtën kohë shpreh edhe një herë mirënjohjen gjithë juve dhe secilit prej juve, për besimin, bashkëpunimin, maturinë dhe vetëdijen e lartë qytetare.

 Ju faleminderit!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në mbledhja e Qeverisë së Kosovës, është miratuar edhe vendimi…