Inaugurohet Parku për Teknologji Digjitale “Tech Park Prishtina”

12 tetor 2023 | 16:31

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot mori pjesë në inaugurimin e Parkut për Teknologji Digjitale “Tech Park Prishtina” në Bërnicë, investim ky prej 1.2 milion eurosh nga Qeveria e Kosovës përmes Ministrisë së Ekonomisë.

Në këtë ceremoni të platformës më të re të inovacionit në Kosovë, kryeministri Kurti konfirmoi edhe njëherë së Qeveria e Republikës së Kosovës është duke ndjekur rrugën e vendeve që shfrytëzojnë fuqinë e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, për të krijuar vende pune, për të nxitur rritje ekonomike, dhe për të përmirësuar cilësinë e jetës për qytetarët.

“Ky investim ka mundësuar transformimin e kësaj ndërtese me sipërfaqe prej 4,000 m2 në një hapësirë moderne e ambient mbresëlënës të dedikuar për zhvillimin e teknologjisë digjitale. Investimi në këtë park teknologjik tregon përkushtimin tonë për zhvillimin e teknologjisë dhe inovacionit që janë themele të ekonomisë së shekullit XXI”, ka deklarua kryeministri Kurti, duke shtuar se Parku i Teknologjisë Digjitale duhet të jetë vendi ku talenti lulëzon, ku ëndrrat marrin formë dhe ku mundësitë hapen.

Ai bëri me dije që Parku që është në pronësi të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, i është dhënë në shfrytëzim STIKK-ut edhe për një periudhë 5-vjeçare, me ç’rast do të realizohet mbështetja për zhvillimin e start-up-ëve dhe sektorit të TIK-ut në përgjithësi, si dhe avancimi i bashkëpunimit i të gjitha palëve në kuadër të ekosistemit të inovacionit.

Përveç këtij parku, kryeministri Kurti njoftoi se qeveria e Republikës së Kosovës me 8 milionë euro investim, së bashku me qeverinë gjermane, me 5 milionë euro investim, janë duke punuar edhe për Parkun e Inovacionit dhe Trajnimeve në Prizren duke përfshirë edhe projekte konkrete në ITP.

“Nëpërmjet Ministrisë së Ekonomisë është themeluar qendra për ekselencë digjitale, në kuadër të së cilës janë krijuar laboratori për printim dhe skanim 3D, qendra e të dhënave të rrjetit akademik dhe kërkimor të Kosovës (KREN), si dhe klasat e pajisura për trajnime në fushën e TIK-ut. Kjo qendër do të vazhdojë të zgjerohet me laborator të TIK-ut edhe me pilotim të 5G”, përmblodhi kryeministri disa nga të arriturat e fundit.

Duke uruar krijimin e Parkut të Teknologjisë Digjitale, kryeministri përmbylli fjalën e tij duke u shprehur se prioritet i Qeverisë mbetet investimi në shtimin e kapaciteteve njerëzore në këtë fushë, si dhe zhvillimin e mëtejshëm të ekosistemit të inovacionit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka marrë pjesë në…