Detaje të reja mbi Radoiçiqin e laboratorët e drogës në veri

12 tetor 2023 | 18:23

Revista serbe “NIN” ka vazhduar publikimin e dëshmive mbi veprimtarinë e Millan Radoiçiqit. Në një artikull të publikuar të enjten, është raportuar për laboratorët e drogës në veri, objektin e Radoiçiqit në Kopaonik…

Nga një shkrim i revistës serbe NIN (numri i sotëm, 12.10.2023)

? Detaje të reja mbi Millan Radoiçiqin, laboratorët e drogës në veri të Kosovës, plantacionin e drogës Jovanjica në Serbi, objektin e Radoiçiqit në kodrën Pančićev vrh në Kopaonik:

Sa i përket çmimit që u pagua me jetë njerëzish, pasojat potencialisht afatgjata për shtetin dhe pakuptimësinë tmerruese, shtrohen shumë pyetje pa përgjigje racionale: si, përse dhe me meritë të kujt Serbia brenda një dite u kthye në vitin 1991?

Rastësi apo jo: sulmi i grupit të Millan Radoiçiqit në Banjskë u krye më 24 shtator 2023. Më 24 shtator 1987 u mbajt mbledhja e tetë e Lidhjes së Komunistëve të Serbisë kur Sllobodan Millosheviqi u bë lider i pakontestueshëm i Serbisë dhe vendi hyri në paudhësi.

Seria e hapave irracionalë të Beogradit filloi me eskalimin rreth targave, me barrikada, ndërsa skenografia për katastrofë, sipas NIN, u vendos me tërheqjen teatrale të policëve serbë nga Policia e Kosovës.

Zbulimi i plantazheve të kanabisit dhe sasisë enorme të drogës së prodhuar në veri të Kosovës ishte pikë kthese. Një vit e gjysmë pas kthimit në pushtet të Albin Kurtit dhe me ardhjen e Veton Elshanit në postin e komandantit të ri të Policisë së Kosovës në drejtorinë për veri, Policia e Kosovës ka zbuluar 11 laboratore dhe plantacione për prodhimin e kanabisit. Në maj të këtij viti një hetues i antidrogës në Policinë e Kosovës i tha revistës NIN se “sipas vlerësimeve tona nga secili plantacion nxirrej një përfitim prej 40 mijë euro në muaj”.

Ndërsa në Kosovë ndiqen kontrabandistët e drogës, në Serbi ngriten aktakuza kundër hetuesve që ndjekin kontrabandistët e drogës, shkruan NIN. Njëri prej tyre është Sllobodan Milenkoviq. Ai është njëri nga hetuesit që zbuloi plantacionin e madh të drogës Jovanjica afër Beogradit. Dyshohet se pronarët e plantacionit mbanin lidhje me pushtetin e Aleksandar Vuçiqit.

Hetuesi Milenkoviq i ka thënë një gazetari të NIN se dyshon që një pjesë e pajisjeve të plantaconit të drogës Jovanjica ka përfunduar në veri të Kosovës. Milenkoviq ka dorëzuar padi kundër Zvonko Veselinoviqit të cilin e akuzon se ka siguruar 1 milion euro për ta vrarë inspektorin Milenkoviq dhe kolegun e tij Dushan Mitiq. Padia ndaj Veselinoviqit u hodh poshtë nga drejtësia serbe.

Petar Boshkoviq, ish-kryeshef në Ministrinë e Mbrojtjes të Serbisë, i deklaroi revistës NIN se i gjithë aksioni “është përcjellë me kujdes nga fillimi”. Në këtë përfundim ai arrin duke u bazuar në faktin se “Prishtina nuk bëri asnjë hap të gabuar, ndërsa nga pala serbe gabuan absolutisht të gjithë”.

Ndërsa Prishtina akuzon njerëz të afërt të Danillo Vuçiqit (të birit të Vuçiqit) për pjesëmarrje në sulm të armatosur dhe presidenti i Serbisë përgjigjet në Instagram, është vetëm çështje kohe kur do të mësojmë edhe disa informata tejet të pakëndshme për këtë ngjarje.

Petar Boshkoviq shpjegon se nuk është normale që ushtria serbe thotë se nuk i intereson se çfarë bën Millan Radoiçiqi në pronën e tij kur ai posedon një arsenal të tërë të armatimit ushtarak, veçanërisht nëse të njëjtit, pra Radoiçiqit, Ushtria e Serbisë para disa vitesh ia ka mundësuar të ndërtojë objekt ilegal në kodrën Pançiçev vërh (Pančićev vrh), afër sistemeve të saj të radarit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një 50-vjeçar është arrestuar sot në Beograd nëm dyshimet për…