![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2023/10/oda-ekonomike-escobar.jpg)
Escobari thekson lidhjen e rrënjosur thellë në mes të ShBA-së dhe popullit të Kosovës
Një delegacion i Odës Amerikane Ekonomike në Kosovë (OEAK), i udhëhequr nga drejtori ekzekutiv Arian Zeka është duke qëndruar në ShBA, ku kanë zhvilluar një takim me zëvendësndihmëssekretarin e Shtetit dhe të dërguarin për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Stabiliteti në Ballkan dhe paqja më e gjerë rajonale ishin temat kryesore gjatë këtij takimi.
Gjatë diskutimit në DASh, “Escobari nënvizoi lidhjen e rrënjosur thellë ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe popullit të Kosovës”.
“Ai më tej theksoi rëndësinë e marrëveshjes së Ohrit dhe bëri thirrje për zbatimin e saj të shpejtë si nga Kosova ashtu edhe nga Serbia”, ka njoftuar OAEK-u.
Delegacioni i Odës Amerikane ka ndarë rrëfime të mundësive të humbura të biznesit në Kosovë për shkak të tensioneve në rajon.
Në përgjigje të kësaj, Gabriel Escobar, ka theksuar se normalizimi i marrëdhënieve “do të zhbllokonte rritjen signifikante ekonomike për Kosovën dhe rajonin më të gjerë”.
Të dyja palët kanë rënë dakord për rëndësinë e madhe të stabilitetit dhe paqes në Ballkan, si elemente themelore për prosperitet.
Më tutje, OEAK-u ka njoftuar se në këtë takim është diskutuar edhe për ndërlidhjen ndërmjet marrëdhënieve të normalizuara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe stabilitetit të përgjithshëm rajonal.
“Duke theksuar vizionin e përbashkët për të ardhmen, zëvendësndihmëssekretari Escobar dhe përfaqësuesit e Odës Amerikane u pajtuan se rruga përpara për Kosovën dhe vendet e tjera të Ballkanit varet nga hyrja e tyre në Bashkimin Evropian. Ata u pajtuan se një integrim i tillë do të sillte një epokë të mundësive të shtuara ekonomike, si dhe do të forconte harmoninë rajonale”, ka njoftuar OEAK-u.