Kurti thotë se investimet në e-qeverisje, e-shëndet, digjitalizim në arsim do të kalojnë vlerën e 80 milionë eurove

13 tetor 2023 | 12:23

Kryeministri Albin Kurti ishte pjesëmarrës në hapjen e edicionit të 12-të të Festivalit të Teknologjisë “KosICT”, organizuar nga Shoqata e Teknologjisë, Informacionit dhe Komunikimit në Kosovë (STIKK), me temën qendrore “Zbuloni kufijtë e rinj”.

Duke e cilësuar festivalin “KosICT” një dëshmi të rëndësisë së madhe që ka sektori i TIK-ut në vendin tonë, Kurti në këtë hapje nënvizoi se digjitalizimi mbetet prioritet i lartë i Qeverisë së Kosovës.

“Deri në fund të vitit 2025, investimet në e-qeverisje, e-shëndet, digjitalizim në arsim dhe siguri kibernetike në Kosovë do të kalojnë vlerën e 80 milionë euro. Në bazë të dokumenteve strategjike që kemi plotësuar, deri në vitin 2027 kjo shifër pritet të arrijë në 130 milionë euro”, tha kryeministri, duke shtuar se këto investime përfaqësojnë përkushtimin e institucioneve të palëkundur për të fuqizuar qytetarët dhe bizneset, për të nxitur inovacionin dhe për të siguruar që Kosova të kapërcejë në sferën e transformimit digjital.

Vetëm këtë javë, siç tha kryeministri, kanë qenë dëshmitarë të disa momenteve të jashtëzakonshme në rrugëtimin drejt digjitalizimit, duke potencuar miratimin e Strategjisë së re të e-Qeverisjes 2023-2027, që sipas tij, është një nismë ambicioze që synon të transformojë ndjeshëm shërbimet tona publike, si dhe Strategjinë e re të Sigurisë Kibernetike 2023-2027, e cila trajton në mënyrë gjithëpërfshirëse të gjitha aspektet e sigurisë kibernetike.

Kurti ka theksuar se një arritje tjetër të rëndësishme shënon edhe miratimi nga Qeveria i programit 5-vjeçar me Bankën Botërore, i titulluar “Forcimi i qeverisjes digjitale për ofrimin e shërbimeve”, i cili përfshin një kredi prej 18.5 milionë euro që do të financojë mbi 50% të aktiviteteve në planin 3-vjeçar të veprimit të Strategjisë sonë të re për E-Qeverisje.

Sivjet nga data 13 deri më 14 tetor, festivali “KosICT” do të mbajë aktivitete me diskutime, ide dhe mundësi për rrjetëzim, gjersa e gjitha do të sillet rreth tri temave kryesore: Inteligjenca artificiale, siguria kibernetike dhe transformimi digjital.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Tayna vjen me paraqitje provokuese në rrjete sociale, thekson linjat…