Lista Serbe kërkon zgjedhjet të reja në veri, Rakiqi: Vendimet i marrim në koordinim me Beogradin

13 tetor 2023 | 13:31

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që sa më parë të shpallin zgjedhjet për kryetarë të rinj dhe asamble komunale në veri, me mesazhin se janë të gatshëm të marrin pjesë në to.

Rakiqi në një konferencë për medie ka thënë se “topi tani është në fushën e Prishtinës”.

“Duhet që këta kryetarë dhe këshilltarë të rrejshëm, të paligjshëm që prej muajsh maltretojnë qytetarët tanë, menjëherë të japin dorëheqjen dhe të largohen. Të largohen nga ndërtesat tona sepse nuk janë përfaqësues të popullit tonë. Qëllimi i tyre i vetëm është të maltretojnë qytetarët tanë”, ka thënë Rakiqi, raporton “Danas”.

Ai ka thënë se “jeta për popullin serb po vështirësohet çdo ditë e më shumë” nga, siç ka theksuar ai “regjimi i Kurtit” dhe se “presionet ndaj serbëve dhe Serbisë janë të paprecedenta”.

“Regjimi i Kurtit nuk ndalet së frikësuari popullin serb duke shkelur marrëveshjet, ligjet dhe të gjitha të drejtat e popullit serb. Ne duhet të jemi të bashkuar dhe në këto kushte të pamundura të përpiqemi të jemi rrobaqepës të fatit tonë dhe të mbrojmë popullin”, ka thënë Rakiqi, duke shtuar se Lista Serbe gjithmonë merr vendime politike në interes të qytetarëve.

Po ashtu, Rakiqi ka thënë vendimet politike i marrin gjithmonë në koordinim me Beogradin zyrtar.

“Prandaj këtë herë do të dëgjojmë këshillat e presidentit Vuçiq dhe sot po dërgojmë mesazhin se jemi të gatshëm të marrim pjesë në zgjedhjet në veri të Kosovës, dhe në këtë mënyrë të inkurajojmë një proces politik dhe dialog që do të çonte në realizimin e kushteve tona, të cilat i kemi theksuar disa herë deri më tani. Prandaj kërkojmë nga Prishtina që sa më parë të shpallen zgjedhje të jashtëzakonshme lokale për kryetarë dhe këshilltarë në të katër komunat në veri të Kosovës”, ka thënë Rakiqi, duke shtuar se me tërheqjen nga institucionet ia dolën të kthejnë vëmendjen e opinionit botëror “se Kosova nuk është çështje e zgjidhur.

Ai ka thënë se “populli serb po vuan dhe se është e nevojshme të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe”.

Lista Serbe më herët kishte refuzuar të marrë pjesë në zgjedhjet lokale në veri të Kosovës më 4 prill, derisa të formohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe dhe të tërhiqet Policia e Kosovës, gjegjësisht njësitë speciale.

Edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, u ka bërë thirrje serbëve të veriut të Kosovës që të dalin me iniciativë për zgjedhje sa më parë në veri të Kosovës.

Kujtojmë se komunat në veri drejtohen nga kryetarët shqiptarë për shkak se serbët i patën bojkotuar zgjedhjet e fundit lokale.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur të premten në…