“Punimet shkel e shko, asfalti është dëmtuar”, Hoti e bëri Durmishin ta pranojë se punimet e rrugës Pejë-Rugovë janë të cilësisë së dobët

15 tetor 2023 | 18:33

Kushdo që ka udhëtuar muajt e fundit në rrugën Pejë-Rugovë e ka parë se gjendja e saj është jo e mirë.

Sot për këtë ka ngritur zërin edhe deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, i cili ka postuar një video në Facebook ku shihet një rrugë që nga Peja të dërgon në Rugovë Pejë, e cila pretendohet se është shtruar kohë më parë nga Qeveria, por që është dëmtuar për shkak të cilësisë së dobët.

“Ja si jane harxhuar 8.63 miliardë euro këto tri vite”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Ai thotë se rruga është ndërtuar pak kohë më parë nga Qeveria dhe poashtu ishte mbikëqyrur nga qeveria.

“Këtu jemi në rrugën që të çon nga qyteti i Pejës në Grykën e Rugovës. Këto pamje që po i shihni, vërehet asfalti tërsisht i plasaritur dhe vërehet ngjyra e zezë e asfaltit, tregon që kjo rrugë është ndërtuar para disa jave me fondet e buxhetit të Qeverisë së Kosovës dhe mbikëqyrur nga Qeveria e Kosovës. Pamjet nuk duan koment dhe punimet janë kryer shkel e shko dhe asfalti është dëmtuar në tërësi’, thotë mes tjerash Hoti.

Pas videos së Hotit ka reaguar zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, i cili ka pranuar se gjendja e rrugës është ashtu siç shihet në video, por shton se tashmë çështje është dërguar në prokurori.

“Avdullah Hoti e paska postuar një video të gjendjes në rrugën Pejë – Rugovë. E vërtetë është ajo që shihet në atë video. Ne kemi nënshkruar një kontratë për sanimin e asaj rruge me qëllimin që ta rregullojmë rrugën shumë të dëmtuar. Kemi pasur shumë ankesa nga qytetarët se nuk po punohet si duhet dhe ne kemi formuar një komision profesional që ta konstatojë gjendjen. Të gjeturat e këtij komisioni janë se jo vetëm cilësia e punimeve që është jashtë çdo standardi, por se janë bërë pagesa edhe për pozicione që nuk janë punuar fare”, ka shkruar Durmishi.

Ai më tej ka thënë se është iniciuar procedurë disiplinore ndaj menaxherit të kontratës dhe lënda është dërguar në prokurori për shkak se ka elemente të veprës penale.

“Kemi informata që prokuroria ka filluar menjëherë që të marrë veprime dhe ne po presim rezultatet e hetimit të tyre”, ka theksuar ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Avionë shtesë sulmues të SHBA-së kanë mbërritur në Lindjen e…