Misioni i (parealizuar) i oficerëve austro-hungarez në Kosovë (1903-1908)

17 tetor 2023 | 00:41

Shkruan: Sylë Ukshini

Duke hulumtuat gjatë studimeve të mia për histori (2007) në Institutin për Studime të Evropë Juglindore, në mesin e miliona librave të Bibliotekës Qendrore të Universitetit gjeta një libër të botuar në vitin 1919, të botuar asokohe me leje të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Austro-Hungareze.

Libri ishte i veçantë pasi deri atëherë nuk ishte i cituar nga asnjë autor vendor dhe ndërkombëtar. Përmbante 71 ilustrime e fotografi dhe 6 harta shume të vlefshme historike.

Ky libër pos që përmbyste stereotipet e studiuesve perëndimorë, që sa herë flisnin për shqiptarët i portretizonin si rebel dhe bandit, pasi këtu flitet për bandat terrorizuese serbe, bullgare dhe greke të drejtuara nga Beogradi, Sofja dhe Athina- në njërën nga hartat paraqitet edhe rajoni i Kosovës ku ishte paraparë të stacionohej misioni policor austro-hungarez.

Siç shihet nga harta e më poshtme, ky mision përafërsisht kap zonën aktuale të sektorit amerikan të KFOR-it, përkatësisht sektori i misionit austro-hungarez përfshinte këtë territor duke u nisur afërisht nga pika sotme me Maqedoninë: Elez Hanin, Kaçanikun, Ferizaj, pjesën lindore të territorit të Prishtinës dhe vazhdonte deri në Podujevë dhe vazhdonte përgjatë Luginës së Preshevës dhe rajonin e Anamoravës, Gjilan dhe Viti.

Duhet përmendur se oficerët austro-hungarez në atë kohë kishin një reputacion për qëndrimin dhe disiplinën e tyre, fakt i njohur nga prezenca tyre në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Kjo ndarje territoriale erdhi pas shumë betejave diplomatike në mesin të fuqive të Koncertit Evropian, përkatësisht në mes Austro-Hungarisë dhe Rusisë, të cilat përpiqeshin për vendosjes së influencës në Ballkanin Jugor.

Para së gjithash, vendosja e trupave austro-hungareze në këtë rajon kyç/strategjik të Kosovës synonte të shërbente si digë mbrojtëse për Vilajetin e Kosovës nga agresioni ushtarak serb, i cili po bëhej gjithnjë më evident pas pushtimit dhe spastrimit etnik të rajonit të Toplicës me 1877/78.
Ardhja e trupave të misionit austro-hungarez në Kosovës ishte arritur me Marrëveshjen të Mürzsteg-ut të vitit 1903 ndërmjet Austro-Hungarisë dhe Rusisë dhe që si qëllim kishte zbatimin e reformave në territorin e Austro-Hungarisë.

Por derisa trupat italiane ishin vendosur në rajonin lindor dhe jugor të Maqedonisë, dhe ato ruse në jugperëndim të Rusisë dhe ato franceze në pjesën e skajshme juglindor, trupat austro-hungareze u vendosen në territorin e Shkupit, Kumanovës, Shtipit dhe rrethinë, politika serbe ishte e alarmuar se vendosja e shpejt e misionit austro-hungarez në territorin e Kosovës juglindore paraqiste një humbje të madhe për synimet e saj ekspansioniste në drejtim të Kosovës. Vendosja e misionit austro-hungarez konsiderohej si barriera kryesore dhe si fundosje e planeve për aneksimin e Kosovës.

Prandaj, Beogradi vuri në lëvizje bandat e armatosura për të shkaktuar trazira dhe dërgoi emisar të ndryshëm fetar dhe politik për ta dezorientuar faktorin shqiptar dhe lëvizjen e tyre kombëtare. Derisa murgjit fetar, të subvencionuar edhe nga Rusia i frynin propagandës së njohur të vetëviktimizimit të komunitetit serb në Kosovës, emisarët politik përhapnin propagandën se qëllimi i vendosjes së austro-hungarezëve në Kosovë ishte rrëmbimi i tokave të shqiptarëve për qëllime ushtarake dhe ndërtimit të linjave hekurudhore.

Duke shfrytëzuar këtë alibi dhe duke përdor edhe element konservator mysliman, duke i nxitur kundër elementit të krishterët, shqiptarët filluan lëvizje dhe protesta kundër një misioni të tillë. Madje propagandistët serbë arritën që vite më vonë, të cytnin shqiptarët që të marshonin në Shkup, aty ishte qendra e misionit austro-hungarez, me qëllim që të pamundësohej veprimtaria e tij dhe t’i bëhej e qartë se ishin të padëshiruar në Kosovë. Si rrjedhojë, Austro-Hungaria hoqi dorë nga vendosja në Kosovën Juglindore dhe me këtë mbeti i lirë operimi i bandave serbe, të cilat në periudhën e rënies së shtetit osman operonin pa penguar brenda manastireve dhe lokaliteteve serbe.

Për më tepër, në Beograd punohej kundër çdo reforme të Perandorisë Osmane që shkonte në interes të zgjerimit të interesave kombëtare të shqiptarëve. Në këtë kuadër, Beogradi ishte edhe kundër benefiteve që sillte marrëveshja e Mürzsteg-ut, e cila synonte që shtetin e vjetër osman në Ballkan ta shndërronte në një shtet kushtetues sipas modelit evropian.

Si rrjedhojë e këtyre rrethanave të turbullta në Ballkanin Jugor, ku përveç Serbisë synime territoriale kishin edhe Bullgaria dhe Greqia, agjentët civilë mbretëror dhe perandorak austro-hungarezë bënë përpjekje për të realizuat misionin dhe synimet e politikës vjeneze, e cila në këtë periudhë synonte të ruante status quo-në territoriale në Ballkan dhe me këtë edhe të mbronin interesat shqiptare përballë kërcënimit permanent serb. Pikërisht kjo ishte arsyeja pse politika serbe i nxiste shqiptarët që të ngriheshin kundër një reforme të tillë dhe që misioni austro-hungarez të shihej si jo mikpritëse nga popullata vendore shqiptare. Natyrisht, në këtë klimë të pafavorshme agjentët civilë shpesh u ndodhën të kërcënuar dhe përballeshin me rreziqe të personelit. Sipas dëshmive vjeneze, në atë kohë në këtë rajon ishte rritur “epshi kafshëror për vrasje përmes nxitjes së paskrupullt nën maskën e fesë ose uniteti kombëtar”

Me gjithë aktivitetin pesë vjeçar dhe këmbënguljes së personelit austro-hungarez, dobësia e shtetit osman, veprimi i bandave serbe, bullgare dhe greke, kaosit etnik, si dhe “mosleximi” i saktë i sinuatës në vend nga elita politike shqiptare, dhe përkundër qetësimit relativ të situatës në rajonin jugor të Vilajetit të Kosovës dhe të Maqedonisë së sotshme, reformat në shtetin osman nuk avancuan pasi situata vetëm sa u komplikua pas Revolucionit Xhonturk. Rrjedhimisht Misioni i oficerëve austro-hungarez përmbushi pjesërisht detyrën e tij brenda kornizës që i është caktuar, në anën tjetër, Beogradi, Cetine, Sofje dhe Athina me nxitjen dhe me mbështetjen e Rusisë i intensifikuan aktivitetet e tyre diplomatike dhe ushtarake kundër interesave të shtetit osman në Ballkan, kundër influencës austro-hungareze në rajon dhe me këtë kundër interesave shqiptare në Kosovë dhe vise tjera të shtetit osman si dhe hapën shtegun për shpërthimin e Luftës së Parë Ballkanike 1912/13, e cila do të ishte fatale dhe tragjike sidomos për shqiptarët e Kosovës dhe në Maqedoninë e sotme.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Reperi Gramoz Aliu, apo siç njihet me emrin e tij…