Kurti kërkon që forcat shtesë të KFOR-it të ruajnë kufirin me Serbinë

18 tetor 2023 | 13:25

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim komandantin e KFOR-it, gjeneralin Ozkan Ultutas, për të biseduar për situatën e sigurisë në vend.

Kryeministri Kurti ka theksuar që është i interesuar për bashkëpunim të fortë, takime të shpeshta dhe komunikim të rregullt me komandantin e KFOR-it.

Temë qendrore e takimit ishte situata e sigurisë pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Kosovë.

Kryeministri ka theksuar se ky sulm terrorist ka vënë në pah nevojën për rritjen e sigurisë në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë.

“Sasia e madhe e armatimit dhe municionit ushtarak të konfiskuar është prodhuar në Serbi. Edhe ushtrimet luftarake të paramilitarëve që kryen terror e vrasje në Banjskë të Zveçanit janë kryer në Serbi. Atje Kosova nuk ka jurisdiksion prandaj nevojitet edhe një hetim ndërkombëtar në Serbi mbi përgatitjet, furnizimin dhe orkestrimin e këtij sulmi. Kryeministri e mirëpriti shtimin e numrit të trupave të KFOR-it, në përgjigje të sulmit terrorist nga ana e Serbisë në Kosovë, duke theksuar që kjo prezencë e shtuar duhet të koncentrohet në ruajtjen e kufirit mes Kosovës dhe Serbisë, prej nga edhe ka hyrë armatimi i Serbisë dhe nga vjen kërcënimi për Kosovën”, ka njoftuar Qeveria e Kosovës.

Më tej në njoftim theksohet se ruajtja e kufirit nënkupton po ashtu mbylljen e rrugëve ilegale, prandaj edhe është i domosdoshëm bashkëpunimi më i madh me Policinë e Kosovës.

“Kryeministri Kurti po ashtu theksoi nevojën që në veri të vendit të ofrohen shërbime të rregullta për qytetarët nga institucionet e Kosovës, prandaj duhet të garantohet liria e lëvizjes”, është theksuar në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura serbe,…