Presidenti FFK-së priti ekipin e FC Kastrioti Stukenbrock

18 tetor 2023 | 14:10

Në prag të ndeshjes së Superkupës Kosovë – Diasporë, presidenti i FFK-së, Agim Ademi, bashkë me nënkryetarin Bakir Burrin kanë pritur të mërkurën në takim FC Kastrioti Stukenbrock, presidentin e ekipit, trajnerin dhe futbollistët, e ku i pranishëm ishte edhe kryetari i Federatës së Futbollit Shqiptar në Gjermani, Ruzhdi Statovci dhe sekretari Miftar Dragidella.

I pari i FFK-së tha se kupa është simbol i shtetit, prandaj ndeshja e sotme është shumë e rëndësishme.

“Kur e dimë se kupa është simbol i shtetit duhet kujdes i veçantë jo vetëm për këtë ndeshje por për çdo ndeshje tjetër të kupës. Ne e dimë rolin tuaj në Diasporë dhe jemi të lumtur me përkushtimin që kryetarët e klubeve shqiptare kanë në Gjermani dhe japin maksimumin e tyre për të mbështetur klubet e tyre. Ne duhet të jemi të bashkuar në çdo pikë dhe në çdo vend. Ju dëshiroj suksese të vazhdueshme dhe ju premtoj se gjithmonë do ta keni përkrahjen time dhe të FFK-së”, tha Ademi.

Ndërkaq, kryetari i FFSHGJ-së, Ruzhdi Statovci e falënderoi presidentin Ademi për pritjen dhe mbështetjen e parezervë nga shtëpia e futbollit në Kosovë. “Falënderoj presidentin Ademi për gatishmërinë që ka për të mbështetur ekipet tona në Gjermani dhe për bashkëpunimin e mirë disavjeçar. Unë po ashtu vlerësoj kontributin e futbollistëve të këtij klubi, të cilët kanë lindur në Gjermani, por që ndihen të privilegjuar të luajnë për shtëpinë e tyre, FC Kastrioti. Këta futbollist janë edhe ambasadorë të vendit të tyre dhe përfaqësojnë me krenari vendin e tyre në fushën e futbollit”, theksoi ai.

Fituesi i Kupës së Kosovës, FC Prishtina dhe fituesi i Kupës së Kosovës për Gjermani, FC Kastrioti Stukenbrock do të përballen sot në Kampin Nacional në Hajvali.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka takuar punëtorët e higjienës…