Rezoluta për Policinë, sërish sot para deputetëve

19 tetor 2023 | 08:10

Kuvendi i Kosovës sot do të mbajë seancë të jashtëzakonshme nga ora 10:00.

Në njoftimin për medie thuhet se pika e vetme e rendit të ditës do të jetë “Shqyrtimi i Propozim-Rezolutës për mbështetjen urgjente financiare të Policisë së Kosovës”.

Javën e kaluar Kuvendi i Kosovës ka dështuar ta mbajë seancën e jashtëzakonshme ku do të votohej një rezolutë për forcimin e Policisë së Kosovës, pasi që partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, nuk qe e pranishme në sallë.

Partia në pushtet tha se opozitës i intereson vetëm pushteti dhe jo mbrojtja e interesit të qytetarëve, në anën tjetër opozita e cilësoi për keqardhje bojkotimin e seancës nga ana e Vetëvendosjes.

Rezoluta për shqyrtim është propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK).

Përmes kësaj rezolute, PDK-ja kërkon që 15 ditë nga miratimi i saj të ndahen mjetet për shtesat e rrezikshmërisë për Policinë e Kosovës. Po ashtu, brenda 60 ditëve të miratohet projektligji për pensionim të parakohshëm të zyrtarëve policorë, kurse nga 1 janari 2024 të mbulohet pagesa e sigurimit shëndetësor për zyrtarët policorë.

Në rend dite është në seancën e sotme edhe shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Traktatit ndërmjet Kosovës dhe Danimarkës “për shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bujar Osmani, kryediplomati i Maqedonisë së Veriut, ka thënë duhet…