Gjykata Speciale nuk përfill Republikën e Kosovës, i raporton sërish OKB-së

23 tetor 2023 | 11:18

Megjithëse e themeluar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, Gjykata Speciale sërish i ka raportuar OKB-së, duke u bërë pjesë e Raportit që sot do të diskutohet në New York në Këshillin e Sigurimit, e ku do të flasë edhe presidentja Vjosa Osmani. OKB nuk e njeh shtetin e Kosovës, as Sekretari i Përgjithshëm i saj dhe as Këshilli i Sigurimit. Veç kësaj, kryetarja e gjykatës Trendafilova raporton kahmos, veç në Kosovë jo.

Përmes shefit për politikë të jashtme të BE-së, Josep Borrell, OKB-së dhe Sekretarit të saj, Gjykata Speciale e Republikës së Kosovës në fakt i raporton tërthorazi edhe Serbisë sepse ajo është shtet anëtar i Kombeve të Bashkuara dhe çdo anëtari i dërgohen raportet për UNMIK-un, të sekretarit Antonio Guterrese.

Në raportin zyrtar të OKB-së për Kosovën, të cilin e ka siguruar gazeta “Epoka e Re”, në aneksin 2, Gjykata Speciale raporton për aktivitetin e saj disa mujor. Për këtë raport aty thuhet se është i të dyjave, i Dhomave të Specializuara dhe i Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Gjykata Speciale fillon raportin me informatën se me kerkesë të saj është arrestuar Dritan Goxhaj dhe se po pret që autoritetet e Tiranës ta ekstradojnë në Hagë.

Pastaj thuhet se kjo gjykatë ka bërë një të arritur të madhe sepse ka nisur në prill procesin gjyqësor “Thaçi dhe të tjerët”, përkatësisht, gjykimin e ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. “Deri më tash kanë dëshmuar 23 dëshmitar të prokurorisë”, thuhet në raport, por nuk raportohet se me ndonjë përjashtim, të gjithë kanë dëshmuar në seanca të mbyllura.  Nuk thuhet gjë as për arsyet e vonesës prej dy vite e gjysmë për fillimin e këtij gjykimi.

Në vijim përmendet gjykimi ndaj ish-pjesëtarit të UÇK-së, Pjetër Shala, dhe rasti në procedurë të mëtejmë i pjesëtarit tjetër të UÇK-së, Salih Mustafa.

Në pjesën tjetër të raportit për OKB-në, Gjykata zbulon se kryetarja e saj Ekaterina Trendafilova me kolegë, ka diskutuar rreth mandatit të Gjykatës Speciale në takime të ndryshme dypalëshe jo vetëm në Evropë, por deri në New York, me përfaqësues të OKB-së, shteteve të ndryshme, etj.

“Për të dhënë informacion rreth mandatit të Dhomave të Specializuara, arritjet e saj dhe sfidat me të cilat përballet gjykata”, thuhet në raport, lidhur me këto takime.

OKB-së i janë raportuar edhe këto informata:  “Gjatë periudhës gjashtëmujore, janë përpunuar 1,116 dosje dhe 629 urdhra dhe vendime, janë përkthyer 372 dokumente me një total prej 5,576 faqesh dhe janë zbuluar 4,207 materiale midis palëve. U mbajtën gjithsej 76 seanca dëgjimore dhe u transmetuan në faqen e internetit të Dhomave të Specializuara në tre gjuhët zyrtare të gjykatës – shqip, serbisht dhe anglisht”.

Në dokument bëhet e ditur se përveç me drejtësi, Gjykata Speciale,  merret edhe me aktivitete tjera siç janë mbajtja e kurseve elementare të gazetarisë për gazetarë të Kosovës për t’i trajnuar se si duhet raportuar në mënyrë objektive për proceset gjyqësore.

“Gjatë periudhës së raportimit, nga Dhomat e Specializuara u ofrua një trajnim për gazetarë. Kjo përfshiu dy kurse trajnimi bazik të mbajtura nga zëdhënësit e Dhomave të Specializuara më 15 dhe 23 mars në Prishtinë, si dhe një kurs dyditore të organizuar më 2 dhe 3 maj 2023 në Hagë për 20 gazetarë nga Kosova. Ky i fundit ishte i përqendruar në raportim gjyqësor neutral dhe objektiv dhe u zhvillua nga dy gazetarë ndërkombëtarë me përvojë të gjatë në raportimin e procedurave para Dhomave të Specializuara, Tribunalit Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavinë dhe Gjykatës Ndërkombëtare Penale”, thuhet në raport.

Për më tepër, në të kaluarën, Gjykata Speciale ka organizuar trajnime për gazetarë nga Kosova edhe në Nuremberg, aty ku janë gjykuar gjeneralë të Gjermanisë naciste, për krimet dhe gjenocidin e kryer gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Përplasja në New York për sulmin terrorist në Banjskë

Ndërkaq, sa i përket pjesës së raportit ku përfshihen informatat e mbledhura nga UNMIK-u, aty janë përmbledhur ngjarje lidhur me pjesën veriore të Kosovës, që nga vendosja e kryetarëve në zyrat e komunave, incidenteve dhe rasteve të dhunës, procesit të dialogut mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, dhe gjëra të ngjashme.

Në raport nuk përfshihet sulmi terrorist në Banjskë dhe vrasja në pritë e policit të Kosovës, Afrim Bunjaku, por kjo do të përmendet në fjalimin që fillimisht do ta mbajë shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh dhe më pas edhe presidentja Vjosa Osmani dhe përfaqësues të shteteve që e njohin pavarësinë e Kosovës.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq, ndaj të cilit është drejtuar gishti nga institucionet e Kosovës se qëndron prapa sulmit më 24 shtator, nuk ka udhëtuar fare në New York. Atje nuk e ka dërguar as Ivica Daçiqin, por kryeministren Ana Bernabiq.

Takimi i Këshillit të Sigurimit do të fillojë në ora 21:00.

Më poshtë e gjeni raportin origjinal të Gjykatës Speciale.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se sulmin terrorist…