Meidani për mossanksionimin e Serbisë: Nuk e njohin sa duhet orientimin e saj

23 tetor 2023 | 11:23

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) dhe Bashkimi Evropian (BE) nuk e njohin sa duhet Serbinë, ka thënë ish-presidenti i Shqipërisë, Rexhep Meidani.

Ai ka vlerësuar se Serbia po luan në mes të Evropës dhe Rusisë, duke u përpjekur të përfitojë në të dyja anët.

Kështu është shprehur Meidani, teksa ka komentuar mossanksionimin e Serbisë për aktin e agresionit më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit.

Në intervistën për “Kosovapres”, Meidani ka thënë se kjo ngjarje tregon se Serbia nuk ka qenë asnjëherë e sinqertë në procesin e dialogut dhe se ka luajtur teatër gjatë gjithë kësaj kohe.

Ish-presidenti i shtetit shqiptar ka vlerësuar pozitivisht qasjen e Kosovës për të tejkaluar situatën e tensionuar në veri të vendit.

“Kosova është treguar dinjitoze”, ka thënë ai.

Serbia ende nuk është sanksionuar nga Bashkimi Evropian për aktin e agresionit në Banjskë të Zveçanit, për çfarë Meidani, ka thënë se të njëjtën nuk po e njohin sa duhet.

“Ka një problem, nuk e njohin sa duhet Serbinë dhe orientimin e saj. Ajo po luan midis Evropës-Bashkimit Evropian dhe Rusisë, duke u përpjekur që të përfitojë në të dyja anët. Por, unë mund të them vetëm kaq: historia ka të ardhme dhe për të parë mirë këtë të ardhme është se si do të mbyllet lufta në Ukrainë. Në qoftë se Rusia humbet, Serbia me këtë lloj loje që bën do humbas. Ajo duhet të mendojë sot që të ndjekë një rrugë, rrugën evropiane. Dhe në rrugën evropiane ajo mund të ecë përpara. Ndryshe, duke kërcyer nga një kali në kalin tjetrin, ajo nuk mund të eci përpara dhe i gjithë procesi i zhvillimit të saj por edhe vet proceset në Ballkan do të kenë pasoja jopozitive”, ka thënë ai.

Ish-presidenti i Shqipërisë, ka komentuar edhe raportet në mes të Edi Ramës dhe Albin Kurtit, ku ka thënë se elitat politike duhet të bashkëpunojnë.

Më tutje, ai ka thënë se firmosja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe me kompetenca ekzekutive është në dëm të Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Megjithëse e themeluar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, Gjykata…