Kurti në Greqi: Serbia e ndihmuar nga aleanca e saj me Putinin, kërcënim për demokracinë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në panelin diskutues të organizuar nga The Economist, me temë “Thellimi i Solidaritetit: Si mundet Evropa të dalë më e fuqishme nga trazirat aktuale gjeopolitike?”.
Në fjalën e tij, ai theksoi se” “Momenti aktual, kërkon mbështetje të palëkundur për demokracinë dhe mbrojtësit e saj. Ne duhet të bashkohemi si forca që kundërshton elementet destabilizuese që përbëjnë një kërcënim të madh për demokracinë”.
Pasi prezantoi dhe realitetin në Kosovë e sukseset e vendit tonë, kryeministri Kurti shtoi se: “Demokracia është një realitet konkret për ne, por po ashtu janë edhe kërcënimet e paraqitura nga autokracitë, kryesisht Serbia, e ndihmuar dukshëm nga aleanca e saj me Putinin”.
Kryeministri përmendi edhe sulmin terrorist të 24 shtatorit që ndodhi në Banjskë të Zveçanit.
“Më 24 shtator, një muaj më parë, agresioni që kemi parë kulmoi kur trupat e armatosur paraushtarake që ishin trajnuar në bazat zyrtare ushtarake në Serbi hynë në vendin tim dhe hapën zjarr ndaj forcave të policisë, duke vrarë një nga policët tanë. Në të njëjtën kohë, Serbia u angazhua në atë që ShBA e përshkruan si një ngritje ushtarake ‘të paprecedentë’ përgjatë kufirit tonë. Në ditët që pasuan, një sasi e konsiderueshme provash tregonin përfshirjen dhe planifikimin e një pushtimi më të madh nga vetë shteti”, tha Kurti.
Ai shtoi se ky fakt ishte i vetëkuptueshëm, pasi asnjë grup civilësh nuk mund të grumbullonte një armatim të tillë dhe ta transportonte atë përtej kufijve pa të paktën mbështetjen e heshtur të një qeverie.
“Agresioni pushoi jo për shkak të dëshirës për t’u tërhequr, por për shkak se ishte manovruar strategjikisht. Që atëherë, ne kemi mbetur të pyesim për vazhdimet e mundshme të këtij sulmi”, tha Kurti, duke shtuar se nuk është koha për të qëndruar duarkryq.