Janjiqi: Siguria në veri, kërkesë parësore e emisarëve perëndimorë

24 tetor 2023 | 16:59

Dushan Janjiq nga Forumi për Marrëdhënie etnike në Beograd, ka vlerësuar se BE-ja dhe emisarët perëndimorë, në esencë, po përpiqen të mbajnë një lloj dinamike sa u përket çështjeve politike në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Por, ai ka shtuar se para cilësdo çështje politike, ata kërkojnë ta definojnë gjendjen e sigurisë në veri të Kosovës.

Janjiqi ka vlerësuar se sulmi në Banjskë, është çështja e parë që trajtohet në kërkesat e emisarëve perëndimorë.

Kjo situatë, sipas tij, paraqet problem serioz për presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

“Nuk i japin hapësirë (Vuçiqit) të lëvizë jashtë kësaj çështjeje të sigurisë, derisa të mos fillojë gjykimi (ndaj grupit të armatosur) dhe derisa të mos zgjidhet çështja e kthimit (të serbëve të veriut) në institucione. Kjo është e re, sepse, për herë të parë, ata janë në prag të bisedimeve për pakon e sigurisë, e cila, sipas definicionit, nuk funksionon në formatin ku (i dërguari i BE-së për dialogun, Mirosllav) Lajçak dhe (shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep) Borrell janë kryesorët. Këtë do ta mbikëqyrë grupi i Quint-it”, ka thënë Janjiqi për “Radion Evropa e Lirë”.

Sipas tij, deklaratat e Vuçiqit se vendet e Perëndimit i kanë politikat e veta që “janë plotësisht të kundërta” me qëndrimin e Serbisë, janë për “konsum të brendshëm”.

Janjiqi ka thënë se Vuçiqi është pajtuar tashmë me Aneksin e zbatimit të Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, për të cilin është rënë dakord në Ohër.

“Ai (Vuçiqi) e ka pranuar në shkurt atë marrëveshje, ku statusi (i Kosovës) është i zgjidhur, pra pranimi i ekzistencës së Republikës së Kosovës dhe të tjerat. Kështu po bëhet përpjekje që të ruhet ai niveli politik (i dialogut), por se, në esencë, insistohet në siguri. Për të do të marrë mbikëqyrje më të madhe EULEX-i (Misioni i BE-së për sundimin e ligjit)”, ka thënë Janjiqi.

Ai ka theksuar se, pa stabilizimin e situatës së sigurisë në veri, nuk mund të ketë dialog për zbatimin në terren të obligimeve që dalin nga Marrëveshja drejt normalizimit të marrëdhënieve.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nëna e Kylian Mbappes, Fayza Lamari, ka folur për mbështetjen…