Erdogani: Hamasi është grup çlirimtar, Netanyahu e keqpërdori vullnetin tonë të mirë

25 tetor 2023 | 13:30

Presidenti i Turqisë, Rexhep Erdogan, ka thënë se Hamasi nuk është organizatë terroriste, por “grup çlirimtar” që po mundohet t’i mbrojë tokat e qytetarët e vet.

Në një fjalim para deputetëve të partisë së tij të mërkurën, Erdogani ka thënë se i kishte anuluar planet për ta vizituar Izraelin si pjesë e politikës së vendit të tij për normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin, duke shtuar se kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, e kishte “keqpërdorur vullnetin tonë të mirë”, raporton agjencia “Associated Press”.

Duke e ngritur tonin kundër Izraelit, Erdogani i ka përshkruar veprimet e këtij shteti në Gaza si ndër “më të përgjakshmet, më të neveritshmet dhe sulmi më i egër në histori”.

“Ne nuk kemi problem me shtetin izraelit, por ne kurrë nuk i kemi pranuar dhe kurrë nuk do t’i pranojmë mizoritë e kryera nga Izraeli dhe faktin se ai vepron si organizatë më shumë sesa si shtet”, ka thënë presidenti turk.

Ai ka bërë thirrje për armëpushim të menjëhershëm, për lejimin e dërgimit të ndihmave humanitare në Gaza dhe për fillimin e bisedimeve për lirimin e pengjeve.

Erdogani gjithashtu la të kuptohej se e dëshiron organizimin e një konference ndërkombëtare të paqes për Izraelin dhe palestinezët.

“Të gjitha palët duhet ta largojnë gishtin nga këmbëza, duhet të shpallet një armëpushim”, ka thënë presidenti turk.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj, ka…