Kosova realizon fitoren e parë në Ligën e Kombeve, mposht Maqedoninë e Veriut

27 tetor 2023 | 15:27

Kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e femrave ka shënuar fitoren e parë në Ligën e Kombeve. Dardanet, të premten, në Shkup kanë shënuar fitore në përballje me Maqedoninë e Veriut, me rezultat 2:0. Kjo ndeshje i ka takuar xhiros së dytë të Grupit 5 në Ligën C.

Të përzgjedhurat e Anneli Andersen e kanë dominuar ndeshjen nga fillimi dhe kanë krijuar raste të njëpasnjëshme, teksa rezultati është zhbllokuar në minutën e 20-të. Ishte Valentina Limani, e cila me gjuajtje të fortë e të saktë nga rreth 20 metra ka arritur ta çojë topin në rrjetën e portës së Magdalena Lekovkës për  rezultatin1:0.

“Dardanet” kanë vazhduar me lojë të mirë edhe në vazhdim të pjesës së parë dhe si rrjedhojë kanë arritur ta gjejnë edhe golin e dytë.

Në minutën e 41-të Kaltrina Biqkaj ka harkuar nga krahu i djathtë, derisa reagimin e dobët të portieres Lekovska e ka shfrytëzuar Valentina Metaj, e cila nga afërsia ka shënuar për 2:0.

Edhe në pjesën e dytë futbollistet dardane kanë bërë paraqitje të mirë dhe e kanë administruar epërsinë e pjesës së parë, duke mos i lejuar futbollistet vendase të rrezikojnë portën e Alma Demirit.

Pas kësaj fitoreje, Kosova ka 4 pikë dhe kryeson renditjen, aq sa ka edhe Bullgaria në pozitën e dytë. Ndeshjen e radhës “Dardanet” e zhvillojnë të martën (më 31 tetor), sërish kundër Maqedonisë së Veriut, në stadiumin “Fadil Vokrri” në orën 17:00.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në seancën e sotme të Apelit, gjatë deklarimit të tij,…