DITARI I PROFESORIT

30 gusht 2018 | 11:57

Shkruan: Ismail Syla

-Në shenjë të 50-vjetorit të demonstratave të viti 1968

Dy mësimdhënës të mi në gjimnazin “Skënderbeu” të Gllogovcit

Nobelisti Elias Canetti në librin e tij autobiografik “Gjuha e shpëtuar” (historia e një rinie), të gjithë profesorëve që i dhanë mësim në gjimnazin e Cyrihut ua bën portretin me një dashuri të veçantë. Në librin e tij kuptojmë sesa e rreptë serioze ka qenë mësimdhënia në shkollat zvicerane në periudhën mes dy luftërave botërore. Për profesorin e historisë, i cili ua shpjegonte me rrënjë historinë si ngjarje, si fakte por edhe rolin e personaliteteve në historinë e njerëzimit tregon se kishte momente që i rrëqethej jo vetëm lëkura e fytyrës por i kreshpëroheshin edhe flokët.

Duk kujtuar këtë detaj të “Gjuhës së shpëtuar”, më erdhi ndërmend viti shkollor 1975/76 i klasës së parë në Gjimnazin Gjergj Kastrioti- Skënderbeu”. Në Gllogovcin e atëhershëm gjimnazi ende punonte në barakat messtacionit të autobusëve dhe ndërtesës së shkollës fillore. Paralelet e klasave të para dhe të katërta zhvillonin mësimin pasdite. Kujdestar imi,  i klasës së parë (dy) qëlloi të jetë profesori i historisë, Sahit Berisha. Me një fytyrë paksa zeshkane, flokë pjesërisht të gjata, i veshur me komplete rrobash dhe këmishë elegante, profesori Sahit shquhej me trupin e drejtë, të ngrehur, shenjë e pedanterisë dhe një krenarie të lindur. Me këpucë elegante të modës, me maja të mprehta dhe taka të larta, ai e maskonte disi trupin e shkurtër. Por, gjykuar me sytë e asaj moshe, profesori atëherë 28 vjeçar, që jetonte në Prishtinë, ishte gjithsesi i madh dhe serioz.

Orët e historisë ato pasdite vjeshte ishin nga më interesantet, sepse nga sytë e profesorit rrezatonte dëshira për të na shpjeguar historinë jo vetëm si plan program i klasës së parë të gjimnazit, që ishte fillimisht i pa orientuar. Kish një dallim cilësor dhe intensiv midis mësuesve të fillores dhe disa prej profesorëve të gjimnazit, që për lëndët përkatëse ishin më të  kualifikuar. Një ngjyresë të veçantë shpjegimi dhe komunikimi profesori Sahit e bënte sidomos tek pjesa e historisë së popullit shqiptar. Historia antike kulmonte me historinë e ilirëve. Fiset, luftërat, mbretëria ilire, luftërat ilire – romake, autoktonia e shqiptarëve etj. etj. E kulmi i entuziazmit arsimdashës dhe frymës atdhetare të kohës, dilte në sipërfaqe në rast vizite të ndonjë prindi, të cilin profesori e sillte në klasë, dhe e ulte në karrigen e tij, te tavolina e punës. Atëherë, jashtë programit profesori bënte “përsëritje mësimi” dhe ne nxënësit bënim garë se kush po përgjigjet më shpejt në pyetjet lidhur me historinë ilire. Do theksuar edhe një  fakt të vërtetuar, klasa ime kishte shumë nxënës të zgjuar. E kështu, profesori krenohej me nxënësit e tij, po edhe prindi i rastit sigurisht që ndahej i kënaqur.

Koha rridhte. Drejtimi shkencave natyrore nuk kishte lëndë historie në vitin e dytë. Në të tretin dhe të katërtin na dha histori një profesor tjetër. Por, me profesorin Sahit nuk i shkëputëm lidhjet. Disave prej nesh, si nxënës të pasionuar në lexim, profesori na sillte ndonjë libër të ndjeshëm, të botuar në Tiranë. Që atëherë e kuptuam edhe shprehjen shqiptare për standardin e prodhimeve. Kish prodhime JUS (jugosllovenski standard) DIN (prodhime gjermane) etj., por kish edhe STASH (standard shqiptar). Në fund të librave të botuara në Tiranë nga “Mihal Duri” ose “Naim Frashëri” dimensionet e formatit të librit jepeshin me masën e centimetrave, sipas Stash (standardit shqiptar). Këmbimi i librave të ndaluar midis profesorëve dhe nxënësve ishte një shkallë e lartë besimi dhe një luks i jashtëzakonshëm në kohën kur “lulëzimi” autonomist i Kosovës e kishte verbuar shumëkënd dhe syri policor i sigurimit shtetëror rrinte zgjuar, së bashku me disa struktura të verbra ideo – politikisht, që Josip Broz Titon “Plakun” e kishin në zemër. Në atë kohë kisha rezervuar të pashtershëm librash të ndaluar në saje të organizimit në GML (Grupi Marksist Leninist i Kosovës). Me profesorin kam këmbyer çdo gjë. Asnjëherë nuk dështoi asgjë midis nesh. As pas burgosjes sime. Profesori Sahit Berisha ishte pjesë e simpatizantëve të Grupit Marksist Leninist të Kosovës, i pajisur vazhdimisht me materialet e grupit, të cilat i fotokopjonte dhe i shpërndante tek simpatizantë të rrethit të tij.

…Viti 1981 bëri kthesë… Pastaj kaloi një dekadë…

Pas rënies së kontrollit komunist të arsimit, në tetorin e viti 1990 në gjimnazin me emër të rikthyer “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” (prej vitit 1979 Skënderbeun e zëvendësoi Mareshali Tito), së bashku me profesorin Sahit Berisha më ra fati të jem mësimdhënës. Aty ku kisha kryer klasën e dytë, të tretën dhe të katërtën tash po punoja si profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe. E kisha të qartë qëmoti se kush kishte qenë familja Berisha, kush ishte Rifat Berisha, vëllezërit dhe kushërinjtë e tij, që kishin rezistuar kundër forcave serbe të OZNA-s më 1949, duke treguar mospajtimin me robërinë e re komuniste të Kosovës. E kisha të qartë edhe diskriminimin që kishte përjetuar familjet Berisha, me kontrollet e vazhdueshme të UDB-së në çdo kohë të ditës, natën dhe pas mesit të natës, fatin e të arratisurve në Shqipëri, fatin e disa prej tyre që kishin braktisur fshatin Berishë për t’u vendosur në qendra urbane, sadopak për t’i ikur terrorizimit të përditshëm. Ndërsa, prej vitit 1990 shprehej hapur simpatia për Berishët e anatemuar dhe gjithë patriotët e ndaluar me dekada të tëra, si Shaban Polluzha Mehmet Gradica etj. Disa varreza u rregulluan në Berishë

Përpos profesorit Sahit, gjatë tri viteve gjimnaz pata fatin ta kem profesor të gjuhës Rasim Berishën, një veteran tipik i arsimit, një patriot i heshtur dhe stoik që kurrë nuk u lakua, ndonëse i shpëtoi prangave të burgut. Për profesorin Rasim, gjegjësisht për vështirësitë e shkollimit të tij më fliste babai im, ndërkaq në raste të rralla vetë profesori na fliste për kushtet e rënda të banimit në Prishtinë, si nxënës i shkollës së mesme dhe student, veçanërisht gjatë dimrit, për bukën e misrit që e merrte me vete nga shtëpia, me të cilën ushqehej një javë, për rrugën e përshkuar këmbë prej fshatit Berishë deri në Prishtinë dhe anasjelltas. Edhe profesori Rasim me kënaqësinë më të madhe i merrte librat e ndaluar, i lexonte dhe asnjëherë nuk ekspozohej. Ishte dhe është akoma det i thellë, por i qetë, i matur, pa nguti, tërë jetën pa turr e pa vrap. Ai në heshtje kishte simpati për nxënësit e familjeve me orientin atntijugosllav. Për dallim nga profesori Sahit, Rasim Berisha shquhej për konstruktin trupor të banorëve të bjeshkës, ishte trupmadh, me sy ngjyrë qielli të thellë, oratori ngadalshëm, por që fjalët t’i ngulit si gozhdët që i ngulit një çekan i rëndë. Ai shquhej për një sërë anekdotash që jetojnë ende. Më spirituozja ishte ajo që lidhej me shkollimin e policëve të mbetur prapa në shkollim të mesëm. Dhe kur njëri prej tyre e pyet profesorin Rasim se “çka kemi ba?”, duke nënkuptuar provimin me shkrim, profesori i përgjigjet me nëntekst: “E po çka nuk keni lanë pa ba!”, si një qëndrim përbuzës, rezistencë dhe rezervë ndaj këtij segmenti të pushtetit jugosllav.

Normalja e Prishtinës

2018-a është një vit që rrumbullakon në mënyrë jubilare përvjetorin e 550 të vdekjes së krye heroit shqiptar Gjergj Kastrioti, 110 vjetorin e Kongresit të Manastirit, 50 vjetorin e demonstratave të 1968-ës, 10 vjetorin e pavarësisë së Kosovës. Se do ta bëja një shkrim për demonstratat e vitit 1968 në këtë vit jubilar vetvetes ia kisha vë detyrë, por disi nuk e gjeja fillin. Këto ngjarje me rëndësi epokale u zhvilluan kur unë isha veçse shtatë vjeç. Nga tërë kujtesa e asaj kohe, pa radio, pa gazeta pa televizor, e madje pa rrymë elektrike, më kujtohet që flitej se në Prishtinë njerëzit kishin thyer xhama të shitoreve, të autobusëve dhe të veturave. Që të jem i sinqertë, asnjë përfytyrim dhe asnjë ide për parulla ose kërkesa politike nuk më kujtohen. Ndërkaq, për veprimet politike prej vitit 1971 e këtej, fatbardhësisht i kam përjetimet, përfytyrimet dhe kujtesë time konkrete individuale.

Qesh me fat dhe u motivova edhe më shumë për shkrimin peng të vetë-premtuar, kur para disa ditësh profesori im, ish kujdestari i klasës Sahit Berisha, ma dha për lexim tekstin e tij të titulluar “Shkolla Normale dhe Demonstratat e vitit 1968” (Kujtime e njohuri të gërshetuara) me 36.070 fjalë. Një libër i ardhshëm, në të cilin ai e shkrin dashurinë për shkollën, e cila u bë institucion i përgatitjeve të arsimtarëve të shkollave fillore anembanë Kosovës, por edhe i kuadrove të profileve nga më të ndryshme.

Në kujtimet e tij profesori Sahit Berisha përshkruan gjerësisht platformën pedagogjike të Normales, objektivat mësimore dhe synimin për të përgatitur kuadro për mësimdhënie në shkollat fillore. Përtej natyrës akademike të ndërtimit të tekstit, ditari i profesorit të historisë është interesant veçanërisht në pjesën ku ai përshkruan konkretisht momentet jetësore të lidhura me Shkollën Normale. Do të thotë pjesa e rrëfimit individual, të cilit i rri besnik, duke mos mbitheksuar rolin e vetvetes. Përkundrazi, Sahit Berisha në këto kujtime shquhet për sensin dhe virtytin që gjendet rrallë tek autorët e biografive personale, qëndrimi modest ndaj vetvetes dhe dhënia e kredive reale të tjerëve. Si njeri i moshës rinore, ai me dashuri dhe nota optimiste përshkruan pikën gjeografike ku ishte objekti shkollor, siç thotë ai, në formë të germës L. Por, me nota tjera, realiste, i përshkruan vitet e Normales, kur drejtori ishte serb, e që përpos urrejtjes e kishte mision edhe nxitjen e përçarjesmidis profesorëve dhe nxënësve shqiptarë: “Ai udhëhiqte gjithmonë me urdhra të prera, të paargumentuara, ka përkrahur gjithnjë një grup të privilegjuar, ku është mundësuar ndasia dhe përçarja e kolektivit të arsimtarëve dhe nxënësve.” (f.31). Autori, po ashtu flet për rolin emancipues të Normales, kur nxënësit kishin nevojë për të “fituar njohuri për sjelljen dhe pastërtinë” (f.44). Ndërkaq, nga aktivitet më të rëndësishme jashtë mësimore janë ato të grupit dramatik dhe letrar (me emrin “Migjeni”). Me konsideratë të veçantë, me emër dhe mbiemër i përmend profesorët e respektuar, duke ua dhënë meritat secilit prej tyre si: Fehmi Pushkollit, Demusha Shalës, Rexhep Hoxhës, Ditar Qamilit, Sylejman Carës, Engjëll Berishës (art figurativ), ose Faik Kabës për aktivitete politeknike, pastaj të tjerë vepër sport, fotografi, muzikë etj.

Autori flet edhe për një mënyrë specifike të largimit të shenjave jugosllave nga korridoret e shkollës, një lloj albanizimi i tyre, duke i ndërruar fotot e figurave jugosllave me ato të shkrimtarëve shqiptarë,që bëhej nga nxënës të ndërgjegjshëm politikisht dhe kombëtarisht, e që ishin pjesëtarë të organizatës antijugosllave “Lidhja e Rinisë së Bashkuar” e themeluar nga Adem Demaçi. Nxënësit e Normales, ashtu si dhe të shkollave tjera, që në moshë të re provonin hijen e sigurimit shtetëror. Pas rënies së Rankoviqit, njëri ndër udhëheqësit më të lartë serbë që u shqua për urrejtje ekstreme kundër shqiptarëve, nga arkivi i Normales u zbulua “lista e zezë” me emrat e 14 nxënësve dhe profesorëve (f.65), që përcilleshin nga UDB-ja dhe mund të arrestoheshin çdo moment. Sipas disa shembujve të sjellë në shënime, një tregues i presionit të vazhdueshëm mbi nxënësit shqiptarë të familjeve atdhetare ishte edhe kontrollimi i çantave (f.67) për të gjetur libra të ndaluara, ose dhe për të vënë aty materiale, përmes të cilave do krijonin shkas për t’i burgosur ose larguar nga shkolla. Autori shkruan edhe për qëndrimin politik negativ të Fadil Hoxhës dhe Stanoje Aksiqit, kur nxënësit e Normales, gjeneratat para tij, shkruajnë parullën në rrugën e asfaltuar, në vitin 1963 “Kosova i takon Shqipërisë”(f.68). Periudha pas Plenunit të Brioneve (Rënia e Rankoviqit, 1966) dhe ndërrimi i drejtorit serb Stanoje Stojanoviq është moment kthese në Shkollën Normale, ku fillon edhe shpalosja e “deformimeve” do të thotë demaskimi i disa prej veprimeve të shërbimit sekret UDB-së, që për një periudhë të gjatë kohore kishte vepruar me dorë të hekurt kundër elementit patriotik shqiptar.

Krijohet klima për demonstratë

Autori i kujtimeve me të drejtë vë theksin tek tendenca e frymës jugosllave të politikës arsimore. Kjo frymë shtrihej dhe dominonte në tekstet e historisë dhe në kulturë, eambalazhuar me petkun ideologjik të vëllazërim bashkimit socialist jugosllav. Por, sado e ndrydhur, e shtypur dhe e luftuar fryma kombëtare shqiptare, ajo nuk u shua asnjëherë. E, pas Plenumit të Brioneve nis të merr frymëpaksa ma lirshëm. Fotoja e Skënderbeut dhe e flamuri kombëtar kuqezi janë dy shenjat themelore përmes të cilave ekspozohen vetëdija dhe ndjenja kombëtare. Sjellja e një flamuri në klasë ishte një vepër e madhe atdhetare në atë kohë. Ishte veprim historik, bie fjala, kur në vitin 1968 në klasën e parë/katër nxënësi Sali Kastrati ekspozoi haptas foton e Skënderbeut, ndërsa nxënësi tjetër Shaip Gashi pranë fotos vuri një flamur kuqezi ( f.78). Ose kur nxënësi i klasës së katër /një, Gani Krasniqi sjell flamurin, e autori i ditarit, Sahit Berisha (f.80) e shpalos duke e vendosur në dërrasë të zezë. Edhe pse çohet pluhur nga strukturat politike dhe të sigurimit shtetëror, profesorët kujdestar këmbëngulin që nxënësit të mos pësojnë, si rasti i profesorit Zeqir Bajrami: “Pasi dëgjoi me vëmendje, kujdestari tha: – Askush nuk do të pësojë as me të voglin dënim. Këtë çështje e rregulloj unë. Ju duhet të mësoni. Flamuri është yni. Gani merre flamurin dhe çoje në shtëpi! Derisa në klasë vazhdonte të mbante fjalën profesori i nderuar në korridor nxënësit e klasave të tjera këndonin këngë dhe solidarizoheshin me ne” (f.80).

Për autorin e kujtimeve një element tjetër për forcimin e vetëdijes kombëtare në Kosovë, përpos shënimit të 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, rol shtytës pat edhe Konsulta Gjuhësore, si një fazë përgatitore për krijimin e gjuhës së sotme letrare, që u kurorëzua me Kongresin e Drejtshkrimit, më 1972. Demonstratat e vitit 1968 në Evropë, ndonëse me karakter tjetër, debati publik në Kosovë për amendamentet kushtetuese, ku u fol hapur për ngritjen e Kosovës nërang republike  (f.81)  por që u mbyt shpejt si zë dhe kërkesë nga establishmenti projugosllav, ishin shtytje për daljen hapur të njerëzve përmes demonstrimit publik të kërkesave. Kështu, në Prizren, më 6 tetor 1968 u organizua demonstratë me kërkesë të qartë për Kosovën Republikë. Me 8 tetor u demonstrua në Suharekë (f.81), më 19 tetor në Pejë duke prirë me flamur kombëtar. Këto ishin demonstratat e para në Kosovë pas Luftës së Dytë Botërore. Ndërkaq, më 27 nëntor demonstrata të fuqishme u organizuan në Podujevë, Ferizaj, Gjilan dhe Prishtinë.

Demonstrata ePrishtinës, 27 nëntor 1968

 “Në vjeshtën e vitit 1968 nxënësit e Shkollës Normale në Prishtinë, më se 1.700 nxënës, ishin të organizuar mirë. Ata ishin të informuar mirë për organizimin e demonstratave në Kosovë. Në këtë shkollë, si në çdo shkollë tjetër në Kosovë, ishin formuar grupet organizative, të cilët bënin përgatitjet për organizimin sa më të mirë të demonstratave. Çështja e parë që duhej bërë ishte ajo e informimit.Informimi dhe shpjegimi i organizimit të demonstratave bëhej në fshehtësi të thellë. Këtë rol e kreu grupi i nxënësve të kësaj shkolle në përbërje Ibrahim Gashi, Remzije Shala, Sahit Berisha, Shemsi Hoxha, Haki Berisha e Sylejman Kastrati. Nuk kishte klasë që nuk ishte informuar dhe në të cilën nuk ishte dalluar ndonjë nga nxënësit që do të përhapte informatat”, – shkruan profesori Sahit Berisha në kujtimet e tij (f.82), dukepërmendur disa emra. Mbase kjo është kuintesenca e librit të ardhshëm të kujtimeve të tij. Një rrëfim autentik, për të cilin unë si një brez më i vonë kam pasur nevojë ta di nga dora e parë e një njeriu të brendshëm të 1968-s.

Prej faqes 82 deri në 112 autori flet për fillimin dhe zhvillimin e demonstratës së 27 nëntorit. I tërë rrëfimi është si një film i gjallë, vizual. Të kthen në hapësirë dhe kohë. Autori me përpikëri shpjegon dy pikat (punktet) ku do të tuboheshin demonstruesit, tek Fakulteti Filologjik dhe tek Qendra e Pionierëve, për koordinimin që ndërrimi i pasdites së Normales të arrijë në qendër të qytetit nga shkolla, në mënyrë të organizuar etj. “Mbretëronte një qetësi e pazakonshme ndër nxënës, bisedohej me tone të ulëta dhe me kujdes. Fitohej përshtypja se Prishtina është qetësuar dhe se në qytet kurrë nuk do të organizohen manifestime publike” (f.83). Të gjitha përgatitjet ishin bërë, por “Vetëbesimi, frika dhe aftësia do të vihen në sprovë në orën gjashtëmbëdhjetë” (f.85), pra në orën e fillimit të demonstratës.

Paraprakisht autori tregon se një frymëzues i tij ishte një veprimtar i shquar, Halil Alidemaj, i cili kishte njohuri politike dhe ishte në dijeni se po organizoheshin demonstratat. Autori tregon për udhëtimin e tij tek të afërmit e tij në Ferizaj, të cilët, edhe pse të punësuar, arrijnë në Prishtinë më 27 nëntor. Profesori Sahit Berisha shkruan: “Më 27. XI. 1968 në Shkollën Normale erdhën afishet. Unë i shpërndava në klasën time dhe në një klasë tjetër, kur në orë të mësimit ishte profesori i muzikës, Mit’hat Sahiti. Ishte atmosferë e gjallë, tollovi e madhe, pritej të niseshim për në qytet. Në fytyrat e nxënësve shihej një gëzim, por edhe brengosje e shqetësim, pasi për këtë brez ishte e para demonstratë. Kështu duke i shpërndarë afishet vepruan edhe të tjerët. Pas orës së dytë të gjithë u nisëm për në qytet. Unë u shoqërova me grupin e sportistëve për të arritur në Gjimnazin “Ivo Llola Ribar” (f.88).

Nga ky çast e tutje çdo hap përpara ishte një histori e pa përshkuar më parë. Tek normalisti shfaqet droja se a do të jetë masive pjesëmarrja në demonstratë: “ Isha i bindur se do të kemi sukses të madh nëse arrijmë të nxjerrim në rrugë numër të mjaftueshëm nxënësish”, thotë ai. Demonstrata fillon me kohë. Nxirren pankartat. Marshohet nga Filozofiku drejt qendrës, tek Teatri. Brohoriten parullat: “Bashkohuni me ne”, “Universitet”, “Kushtetutë”, “Barazi”, “Republikë” etj” (91). Kërkesat i lexojnë publikisht Osman Dumoshi dhe Skender Kastrati. Nga ana tjetër, edhe nxënësit e ndërrimit të dytë, të pasdites, ishin nisur për në qendër të qytetit. Autori përshkruan grupin e vajzave shqiptare konviktore, të cilat nuk arrijnë të bashkohen me kolonat e demonstruesve, e të cilat rrezikohen nga grupe agresive serbe (94).

Pas dy orësh demonstrim, në orën 18 policia fillon intervenimin mbi demonstruesit në qendër të Prishtinës, afër godinës qeveritare. Përdoren cisternat me ujë. Policia bllokon rrugët kryesore. Përleshja me ta është e pashmangshme vjen një moment që autori e definon bukur “Aty bënte punë guximi dhe gurët” (f.96). Demonstruesi Gani Krasniqi përpiqet ta rrëmbejë një cisternë, Nexhat Krasniqi ia vë gjoksin topave të ujit (f.96). “Prej udhëkryqit te “Afërdita”, e deri te hoteli “Union”, në të dy anët e rrugës, pamë shenja e gjurmë të rrënimit e shkatërrimit, dritare të thyera, gjësende të shpërndara në rrugë, mjete teknike e automjete të rrotulluara. Në rrugë kishte gurë e tjegulla. Nëpër muret e shtëpive vëreheshin gjurmë të llojllojshme e në tokë shiheshin gjurmët e gjakut. Demonstruesit mbizotëruan situatën. Me gjithë mekanizmin e tyre të rëndë forcat policore u tërhoqën. E tërë rruga kryesore e qytetit, e cila fillonte nga Këshilli Krahinor e zgjaste deri te Fakulteti Filozofik, ishte zonë e lirë dhe e mbikëqyrur nga demonstruesit. Shqiptarët për disa orë, kthyen Prishtinën sërish në duart e veta. Policët hipën në automobilat e tyre dhe u nisën në bazë”. Kjo ishte gjendja në Prishtinë në një moment të 27 nëntorit 1968.

Nga Fakulteti Filozofik drejt ndërtesës së burgut

Demonstruesit rirreshtohen para Fakultetit Filozofik. Ndërkaq, demonstrues nga Ferizaj Llapi dhe Drenica kanë arritur në Prishtinë

“Aty mbretëronte një gjendje manifestimi. Demonstruesit bisedonin e përshëndeteshin, fytyra u qeshte. Ata që sapo arrinin uronin me fjalët më të mira. Herë pas here nuk dëgjohej asnjë zë në kopsht. Pas fjalëve të njerëzve nga shkallët e Fakultetit mbanin fjalim studentë, nxënës, punëtorë, arsimtarë, të cilët me diskutimet e tre përkrahnin dhe inkurajonin demonstruesit. Aty foli një individ, të cilin e thirrshin Jusuf Gjunduzi nga Presheva, pastaj Adem Rukiqi, i cili i përshëndeti demonstruesit në emër të Drenicës: ‘E tërë Drenica është me ju’. Foli edhe një vajzë, nxënëse e Shkollës Normale. Para Fakultetit ishte një atmosferë e këndshme. Ishte pasdite e vonë vjeshte. Kopshti vlonte prej zhurmës, prej brohoritjeve. Dikush uronte, kurse masa përgjigjej: ‘Rroftë Adem Demaçi’ etj. Për një çast dikush doli në shkallë të Fakultetit dhe lajmëroi se ishin arrestuar shumë demonstrues, në mesin e tyre edhe FehmiPushkolli. Profesori Fehmi Pushkolli respektohej shumë nga nxënësit e Shkollës Normale” (f.98), shkruan profesori Sahit Berisha.

Nga Fakulteti Filozofik masa e revoltuar niset drejt burgut. Në krye të kolonës me flamur prin Mejreme Berisha, motra e autorit të kujtimeve. Autori me detaje bën përshkrimin e lëvizjes së demonstruesve, pozicionin e ushtarëve. Në një çast, te kthesa e fundit që çonte drejt burgut, kordoni i policëve të armatosur hedh breshëri mbi demonstruesit. Autori Berisha është dëshmitar i rënies heroike përballë policëve të dëshmorit të parë të demonstratës së 27 nëntorit 1968, Murat Mehmeti. Krahas tij plagoset flamurtarja, motra e Sahitit, Mejreme Berisha. Në kolonën e dytë të demonstruesve nga të shtënat e ushtarëve plagoset normalisti Sylejman Kastrati i klasës së katër/gjashtë (f.101). Po ashtu autori që kishte pësuar nga një goditje e rëndë në këmbë, në një moment rrethohet nga disa policë të cilët e godasin me shqelma dhe shufra gome. Por, falë turmës së guximshme, lirohet nga duart e tyre (f.103). Një agresivitet të llojit të veçantë mbi demonstruesit kishin treguar banorët serbë në ndërtesa buzë shesheve dhe rrugëve kryesore, siç dokumenton autori: “Derisa kolona ecte rrugës, në drejtim të veriut, nga dritaret e ndërtesave të afërta serbët qëllonin me gjëra të ndryshme: me vazo të luleve, tjegulla e me ujë të vluar” (f.104). Rreth orës 22 në Prishtinë kishin arritur njësi të policisë nga Serbia. Kishte përpjekeje për t’i rrethuar demonstruesit. Me fjalën e profesorit Mark Krasniq, dhe me kërkesë e akordim që të nesërmen, më 28 nëntor të mblidheshin demonstruesit për varrimin e Mumrat Mehemetit, fillon edhe shpërndarja e demonstruesve.

Një kapitull më vete është vajtja në spital e të plagosurve dhe të lënduarve. Aty mjekët serbë e dëshmojnë shpirtin e tyre aspak human. Përkundër betimit të Hipokratit, secili i plagosur për ta është armik i shtetit, është nacionalist. Autori tregon deri në detaje keqtrajtimin në spital të nxënësit të plagosur Sylejman Kastrati me origjinë nga Kizhareka e Drenasit (ish Gllogofci).

Një debat i ashpër me elitën komuniste krahinore

 Më 3 dhe 4 dhjetor 1968 pati dy zhvillimeinteresante nga nxënësit e Normales. Një tentativë për të demonstruar në qytet e preventojnë profesorët e Normales me premtimin që kërkesat e studentëve do të shqyrtohen në sallën e shfaqjeve të shkollës. Në tubimin e 3 dhjetorit ka diçka vërtet dramatike. Për vendosmërinë e dhe guximin e profesorit Sahit Berisha, atëherë si normalist, më kishte folur para disa muajsh një mësues i respektuar, Heset Çelaj nga Kizhareka. Nga shënimet e kujtimeve e gjeta për cilin moment kishte folur z. Çelaj. Është pikërisht ai ku ballë përballë janë nxënësit atdhetarë me përfaqësuesit e pushtetit jugosllav, të kryesuar nga Xhavit Nimani, Salih Nushi, Kemajl Deva dhe Ilija Vukiqi (f.125).

Autori sjell vlerësimet autentike që udhëheqja e Kosovës kishte bërë kundër demonstratave të 1968-ës. Në një moment të krijohet ndjenja e ndeshjes midis heronjve (nxënësve) antiheronjve (pushtetarëve) dhe në rolin e protagonistëve të tretë, një lloj specie neutralësh sa për sy e faqe, por që shpirtërisht dhe me ide ishin me nxënësit e tyre, profesorët e tyre, pëshpëritësit, suflerët, siç i quan profesori Sahit Berisha. Në një moment ekspozenë e ideve dhe kërkesave të nxënësve e paraqet normalisti i guximshëm, autori i ditarit Sahit Berisha.

Po ashtu, në tekstin e kujtimeve autori tregon se si vendosmëria dhe solidarizimi i fuqishëm i normalistëve me bashkëmoshatarin e tyre bën që nxënësit BedriJusufi dhe Sadik Osmani të lirohen nga burgu më 4 dhjetor 1968. Ata qenë dënuar me procedurë të shpejtë (f.112).

Si përfundim

Para takimit të orës 9 të 28 gushtit 2018 në kafe restorantin “Union” afër Teatrit Kombëtar, me profesorin Sahit bëjmë një foto te monumenti i Skënderbeut në shesh. Fotoja, pa pikë përtese  “shkrepet” nga një kalimtar i rastit. Profesori ka veshur një komplet me ngjyra verore dhe ka mbërthyer kravatën.  Temperatura është jo lartë, si një fillim vjeshte. Ulemi në tavolinën me dy karrige, brenda në “Union”. Pas diskutimit për strukturën e ditarit, profesorii bën rezyme vitit 1968. Ritregon rëndësinë e kremtimit të 500 vjetorit të Skënderbeut në Prishtinë. Atyre ditëve, thotë ai, qendra e Prishtinës vlonte nga njerëzit që kishin dëshirë të takohen me ndonjë nga pjesëmarrësit e Shqipërisë në konferencë. Qoftë edhe ndonjë shofer apo kushdo tjetër për ne ishte i rëndësishëm, thotë profesori. Edhe ata, sigurisht me parapërgatitje, nuk ishin duarthatë. Kishin me vete distinktivë me figurë e Skënderbeut, harta të betejave përgjatë 25 vjetëve rezistencë të Gjergj Kastriotit. Kështu, dita ditës mbytej frika. Një frymë unifikimi shpirtëror vërehej gjithnjë e më shumë… Dhe nga kjo temë, kalohet te rezistenca e Rifat Berishës dhe të tjerëve, një histori shumë e pasurpër ndonjë shkrim tjetër.

BIOGRAFIA

Sahit Berisha u lind më 28.09.1947 në fshatin Leletiq, Komuna e Lipjanit. Familja e tij në këtëfshat erdhën nga fshati Berishë, Komuna e Malishevës. Tash jeton në Prishtinë. Shkollën fillore, cikli i ulët ekreu në qytezën Magurë, kurse ciklin e lartë e përfundoi në Shkollën Fillore “ Emin Duraku” në Prishtinë. Kreu Shkollën Normale “Miladin Popoviq” në Prishtinë. U punësua për herë të parë në vitin shkollor 1970/71 si mësues në Shkollën Fillore “Stanko Buriq” në Magurë. Pas kërcënimit me burgim nga kryetari i Komitetit Komunal të LKJ-së të Lipjanit, si dhe organeve të tjera, si antijugosllav ai largohet nga puna dhe merret në bisedë informative nga organet e sigurimit. Në vitin 1975 u punësua profesor i historisë në Shkollën Mesme “Skënderbeu” në Gllogovc. Më 1976 arrestohet në hallën sportive “25 Maji” sot “1 Tetori”, ku zhvillohej ndeshja sportive në volejboll, në mes të reprezentacionit të Shqipërisë dhe të Jugosllavisë. Më 16.IV. 1981 burgoset nga sigurimi i Gllogocit (Drenasit). U larguar nga puna si i papërshtatshëm ideo politikisht dhe si antijugosllav. Me 10. VIII 1991 u burgos përsëri nga organet e sigurimit serb në Gjilan. Me 23.V.1992 arrestohet nga Sigurimi Shtetëror në Prishtinë. Në mars të vitit 1993 punësohet në gjimnazin “Xhevdet Doda” në Prishtinë, si profesor i historisë. Tash është pensionist.

Prishtinë, 29 gusht 2018

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia e Kosovës (PK) ka bërë me dije se ka…