Millovan Bozhoviqi dënohet me 7 muaj burgim për incidentet në veri

30 tetor 2023 | 11:13

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar Millovan Bozhoviq me shtatë muaj burgim për veprën penale “pjesëmarrje në turmë që kryen vepra penale dhe huliganizëm” dhe për djegie të veturave në veri.

“I akuzuari M.B është shpallur fajtor dhe është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 7 (shtatë) muaj, për veprën penale Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi, të akuzuarit në dënimin e shqiptuar i llogaritet edhe koha e qëndrimit në paraburgim, nga data 01.04.2023 deri me datë 26.10.2023”, ka njoftuar Gjykata Themelore në Prishtinë

Sipas këtij njoftimi, i akuzuari M.B obligohet të paguajë shpenzimet e procedurës penale sipas llogarisë përfundimtare të kësaj gjykate dhe në emër të paushallit gjyqësor të paguaj shumën në lartësi prej 100 euro. Po ashtu, ai obligohet që në emër të programit për kompensimin e viktimave të krimit të paguajë shumën prej 100 euro, të gjitha këto në afatin prej 15 ditëve pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

“Të dëmtuarit V.K dhe D.S nuk kanë parashtruar kërkesë pasurore juridike. Me datë 30.03.2023 në Zubin Potok i akuzuari M.B kishte marr pjesë në turmën e mbledhur prej më shumë se tetë personave, të cilët me veprime të përbashkëta kishin kryer një apo më shumë vepra të rënda penale si ‘Zjarrëvënia’ dhe ‘Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm’, në atë mënyrë që në orët e mëngjesit në rrugën ‘Luka Pridvorjanina’, kishin djegur dy vetura e të cilat mbanin targat e regjistrimit RSK, vetura këto të cilat ishin pronë e të dëmtuarit V.K dhe të dëmtuarit D.S, ku si pasojë e djegies së tyre kishin shkaktuar dëm të konsiderueshëm material”, ka njoftuar Gjykata Themelore në Prishtinë.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mbrëmje zhgënjyese kjo për dy nga ekipet “big” në NBA,…