Presidentja e KE-së: Kosova të nis zbatimin e Asociacionit, Serbia ta pranojë njohjen de-facto

30 tetor 2023 | 14:58

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, ka ritheksuar se e dënojnë ashpër sulmin e dhunshëm të 24 shtatorit që ka ndodhur në Banjskë të Zveçanit.

Pas takimit me presidenten Vjosa Osmani në Prishtinë, ajo ka kërkuar që kryerësit duhet të sillen para drejtësisë.

“Ne fuqishëm dënojmë sulmet e dhunshme të 24 shtatorit, dhe shpreh ngushëllimet për familjet, miqtë dhe kolegët e policit të vrarë. Një sulm i tillë është tërësisht i papranueshëm, dhe kryerësit duhet të sillen para drejtësisë”, ka thënë Von der Leyen në një konferencë të përbashkët për medie me Osmanin.

Më tutje, ajo ka thënë se BE-ja është zotuar për të ardhmen e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Ajo ka folur edhe për procesin e liberalizimit të vizave, duke theksuar se ky është një momentum i ri në raportin BE-Kosovë.

“Më kujtohet viti i kaluar që të dyja ne bëmë thirrje për liberalizim të vizave, dhe tani mund të them se ia dolëm. Që nga 1 janari kosovarët mund të gëzojnë lëvizjen e lirë. Kjo është një mënyrë fantastike për ti afruar njerëzit”, ka thënë Von der Leyen.
Presidentja e KE-së i ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të punojnë për normalizimin e marrëdhënieve.

“Ftojmë edhe Kosovën ta nisë procedurën për zbatimin e Asociacionit, kurse Serbia duhet të pranojë njohjen de-facto. Kjo është mënyra e vetme për të shkuar përpara”, ka thënë presidentja e KE-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Njësia e inteligjencës së sinjaleve 8200 e ushtrisë izraelite ndaloi…