Kurti njofton për bisedën e takimit me Ursula von der Leyen

30 tetor 2023 | 19:00

Kryeministri Albin Kurti ka shkruar në “Facebook” për takimin që pati sot në Prishtinë me presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.

Ai ka theksuar se e ka njoftuar presidenten e KE-së për progresin demokratik dhe ekonomik të Kosovës, për projektet infrastrukturore të cilat kanë mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian si dhe projektet e reja sikurse hekurudha Prishtinë-Durrës që kërkon mbështetje.

“Tri vizita në pak më shumë se dy vjet dhe gjashtë takime të përbashkëta me presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen janë tregues i bashkëpunimit të afërt ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian dhe i angazhimit të presidentes von der Leyen ndaj Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor”.

“E njoftova për progresin demokratik dhe ekonomik të Kosovës, për projektet infrastrukturore të cilat kanë mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian si dhe projektet e reja sikurse hekurudha Prishtinë-Durrës që kërkon mbështetje”, ka shkruar Kurti.

Ai ka treguar se e ka falënderuae atë për dënimin e sulmit terrorist ndaj Kosovës në Banjskë.

“Theksova që Serbia duhet të bëjë ekstradimin e terroristeve në Kosovë për t’u përballur me drejtësinë. Biseduam për zhvillimet e fundit, duke përfshirë takimin e 26 tetorit me krerët e vendeve të Bashkimit Evropian në margjina të Samitit të Këshillit Evropian”.

“Republika e Kosovës ka dëshmuar mirëbesim në dialog duke respektuar marrëveshjen Bazë dhe Aneksin dhe përkushtim në zbatimin e saj duke ofruar nënshkrimin e propozimit nga BE dhe ShBA-të për zbatimin e nenit 7 në lidhje me nenin 10 të marrëveshjes, në një paketë të përbashkët”, ka shkruar Kurti.

Ai ka kërkuar që, në përputhje me këto zhvillime, të hiqen masat ndaj Kosovës dhe të merren masa ndaj Serbisë edhe për sulmin terrorist ndaj Kosovës edhe për mos-gatishmërinë për normalizim të marrëdhënieve duke refuzuar përsëri nënshkrimin me 26 tetor në Bruksel.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në kuadër të muajit për ndërgjegjësimin ndaj sëmundjes së kancerit…