Protestë në Mali të Zi pas zgjedhjes së Mandiçit kryetar i Kuvendit

30 tetor 2023 | 21:06

Para Kuvendit të Malit të Zi qindra qytetarë kanë protestuar duke e kundërshtuar zgjedhjen e Kryetarit të Demokracisë së Re Serbe, Andrija Mandiç, kryetar të Kuvendit.

Protestuesit kanë brohoritur “tradhti” dhe kanë baritur flamujt e Bashkimit Evropian dhe atë të Malit të Zi.

Madje, shumë prej tyre besojnë se zgjidhja e Mandiçit është një goditje tjetër për themelet e shtetit të Malit të Zi, raporton mediumi malazez Vijesti.

Kjo protestë është organizuar nga Forumi i Qytetarëve të Lirë të Luçës dhe partitë opozitare.

Mandiç e sheh Putinin si president të tij

Në vitin 2019, presidenti rus, Vladimir Putin, u takua në Beograd me Andrija Mandiçin dhe një udhëheqës tjetër të Frontit Demokratik, Millan Knezheviç, të cilët atëkohë kanë qenë në opozitë.

“Mandiç dhe Knezheviç ia kanë përcjellë presidentit të Rusisë përshëndetjet e popullit serb në Mal të Zi dhe kanë theksuar se shumica e Malit të Zi e percepton atë si president të vetin”, ka thënë atëkohë Fronti Demokratik.

Sipas atij njoftimi, Putin u ka thënë atyre se janë “heronj të vërtetë” dhe se duhet “të durojnë”.

Mandiç dhe Knezheviç janë akuzuar se kanë planifikuar një “grushtshtet” në ditën e zgjedhjeve në Mal të Zi, në vitin 2016, së bashku me anëtarët e shërbimit rus, Eduard Shishmakov dhe Vladimir Popov, si dhe me tetë shtetas të tjerë serbë.

Rasti është lidhur me përpjekjet për ta penguar anëtarësimin e Malit të Zi në NATO.

Ai e mohon edhe gjenocidin në Srebrenicë, ku forcat serbe të Bosnjës kanë vrarë mbi 8.000 burra dhe djem myslimanë gjatë luftës së viteve ’90.

Betohet Mandiç

Mandiç pasi e ka bërë betimin si kryetari i ri i Kuvendit theksoi se “do ta kryej detyrën time sipas Kushtetutës dhe ligjit, me nder, me përgjegjësi dhe ndërgjegje”.

“Askush nuk është më i rëndësishëm se njerëzit dhe vendi i tij. Kjo është arsyeja pse ne kemi nevojë për dialog. Duhet të fillojmë t’i besojmë njëri-tjetrit. Shpesh këto ditë sondazhet e opinionit publik tregojnë se politikanët janë më pak të besuar. Ky është një problem”, shtoi ai.

“Është detyra jonë të miratojmë ligjet që populli po e kërkon dhe që i duhet Malit të Zi. Kjo duhet të bëhet shtëpi e fjalëve argumentuese”.

Koalicioni “Për të Ardhmen e Malit të Zi (ZBCG)”, përbëhet nga ish-përfaqësuesit e Frontit Demokratik (DF) pro-serb e pro-rus.

Demokracia e Re Serbe (NSD) dhe Partia Popullore Demokratike (DNP), angazhohen për heqjen e sanksioneve ndaj Rusisë, anulimin e njohjes së pavarësisë së Kosovës dhe tërheqjen nga NATO-ja.

Tani pritet që Mandiç ta caktojë seancën e re të Kuvendit në të cilën do të zgjidhet Qeveria e 44-të e Malit të Zi.

Kryeministër i ri i Malit të Z do jetë Milojko Spajiç – si fitues i zgjedhjeve të 11 qershorit.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Është mëngjesi i 16 janarit të vitit 2018. Si çdo…