Lajçi: Drama nuk po bëhet për Asociacionin por për kompetenca ekzekutive të serbëve

31 tetor 2023 | 00:28

Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Driton Lajçi, tha se gjithë kjo “dramë” nuk po bëhet vetëm për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, por sipas tij, po bëhet fjalë për kompetenca ekzekutive për serbët e Kosovës.

Lajçi në emisionin “ReSpublika” në Tëvë1, tha se termi vetmenaxhim nuk është vetqeverisje, por më tepër është i karakterit menaxherial.

“Në rastin e Asociacionit duket se gjërat kanë evoluu dhe unë për shembull nuk e besoj se gjithë kjo dramë, bëhet fjalë thjeshtë për me e themelu një Asociacion tjetër siç e kemi Asociacionin e Komunave të Kosovës. Këtu ekskluzivisht bëhet fjalë për kompetenca ekzekutive, mirëpo pyetja për mendimin tim është se cilat do të jenë ato kompetenca ekzekutive, ku do të përfshihen, në ato dikasteret veçse të dakorduara. Tash ky termi vetmenaxhim është i karakterit më tepër menaxherial, nuk është vetëqeverisje, dallojnë edhe në përmbajtje, por edhe në formë. Ne do të kemi kujdes edhe te përkthimi, se edhe në gjuhën serbe interpretohen ndryshe dhe Serbia do ta gjejë një term që do të jetë më i favorshëm dhe më kuptimplotë për kompetencat që duhet ti ketë”, tha Lajçi.

Derisa theksoi se nuk do të bëhet fjalë për ndonjë autonomi sepse sipas tij, Kushtetuta e Republikës së Kosovës sipas ligjit nuk e lejon një gjë të tillë.

“Por nuk besoj që do të bëhet fjalë për ndonjë autonomi, sepse Kushtetuta e Kosovës sipas ligjit nuk e lejon. Se si do të akomodohet ai ta shohim, sigurisht se do jetë njëfarë Ahtisaari plus, do të kenë kompetenca më shumë se që kanë sot. Dhe ju e dini se edhe ato që i kanë sot janë të bollshme, janë të mjaftueshme, mirëpo kjo është si produkt i real politikës Serbia është prej faktorëve të fuqishëm, ekonomik, politik në rajon”, shtoi ai.

Kujtojmë që Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.

Kosova deri më tani ka refuzuar të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, duke shprehur frikën se mund të cenojë funksionalitetin e shtetit. Serbia, ndërkaq, insiston në themelimin e tij.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sipas presidentit të Rumanisë, Klaus Iohannis, zona Shengen nuk funksionon…