Abdixhiku ‘udhëzon’ Qeverinë e Kosovës: Hiqni dorë nga mëditjet, zgjidhja për NJSI/FIT është e thjeshtë
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka kritikuar ashpër Qeverinë e Kosovës për qasjen mospërfillëse ndaj kërkesave të pjesëtarëve të Njësisë Speciale Intervenuese (NJSI/FIT) të Policisë së Kosovës, duke udhëzuar kabinetin qeveritar të heqin dorë nga mëditjet e t’i pagujnë më shumë policët elitarë të Kosovës.
Kreu i LDK-së, nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në “Facebook”, pas pretendimeve të Qeverisë së Kosovës se të ardhurat mesatare të pjesëtarëve të kësaj njësie elitare sivjet kanë arritur shifrën e mbi 2 mijë e 200 eurove në muaj, përfshirë pagën bazë plus shtesat, ka thënë se për të marrë këtë shumë, policët elitarë duhet të luftojnë me kriminelë.
“Paga e tyre është 630 euro bruto! Kaq paguhen. 550 euro neto! Po kërkojnë dinjitet. Dhe dinjitet meritojnë këta dhjetra djem. Hiqni ca meditje nga shëtitjet e thata dhe zgjidhjen e keni krejt të lehtë”, ka shkruar kryetari Abdixhiku, derisa ka shtuar se Qeveria e Kosovës, nëqoftëse do të ishte normale, nuk do të lejonte që policët elitarë të protestonin.
“Por qeveri normale nuk ka ky shtet. Ka mashtrues që nxisin turma edhe në këtë temë. Edhe një përplasje e re. Edhe një propagandë. Sikurse me minatorë, mësues, polic e me secilën shtresë në këtë vend. Drejt fundit. Kosova do të bëhet më mirë”, ka përfunduar shefi i LDK-së postimin e tij në orët e vona të së mërkurës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, derisa ka provuar të minimizojë protestën e pjesëtarëve të NJSI/FIT në kuadër të Policisë së Kosovës, ka thënë nëpërmjet një postimi në “Facebook” se secili pjesëtar i NJSI/FIT ka pajisje në vlerë prej afër 10 mijë euro e sivjet kanë pasur të ardhura më të larta sesa Presidentja e Kosovës.