Intervistimi për anëtarë të Bordit të RTK-së, ngjall reagime

01 nëntor 2023 | 23:39

Komisioni ‘ad-hoc’ i Kuvendit të Kosovës ka intervistuar 6 kandidatë për anëtarë të Bordit të RTK-së, të cilët i janë rekomanduar Kuvendit të Kosovës për votim.

Gjashtë kandidatët janë Mehmet Kalisi, Ilir Bytyqi, Albinot Maloku, Shukrije Rama, Naile Demiri dhe Driton Shabani. Por për këtë proces të intervistimit, ka reaguar “Lëvizja FOL”, e cila e ka quajtur jo-transparent, jo-meritor dhe pa integritet, si dhe shkelje flagrante të meritokracisë.

Ndërkaq edhe deputetët e pozitës kanë reaguar ndaj këtij procesi, të cilët e kanë quajtur skandaloz notimin me 1 pikë të kandidatëve që ishin me doktoraturë.

Flutura Kusari,nga shoqëria civile, ka shkruar në facebook, duke e cilësuar LDK-në si shkatërruese të procesit.

Komisioni ‘ad hock’ ka përzgjedhur 6 kandidatët për anëtarë të Bordit të RTK-së, të cilët i janë

rekomanduar Kuvendit të Kosovës për votim janë:

1. Mehmet Kalisi (904 pikë),

2. Ilir Bytyqi (864 pikë),

3. Albinot Maloku (830 pikë),

4. Shukrije Rama (807 pikë),

5. Naile Demiri (719 pikë) dhe

6. Driton Shaipi (710 pikë).

 “Lëvizja FOL” e ka monitoruar këtë proces, të cilin e ka vlerësuar jo-transparent, jo-meritor dhe pa integritet, shkelje flagrante i parimit të meritokracisë.

Në reagimin e Lëvizjes FOL” thuhet se procesi i vlerësimit të kandidatëve nuk kishte trajtim të barabartë të të gjithë kandidatëve gjatë intervistimit. Kandidatëve nuk u janë bërë pyetjet e njëjta gjatë intervistimit, gjë që do të lejonte vlerësim objektiv të të gjithë kandidatëve.

Ajo që është tejet shqetësuese dhe indikator i fuqishëm i mosrespektimit të parimit të meritokracisë është diskrepanca në poentimin e kandidatëve nga ana e anëtarëve të Komisionit për të njëjtin kandidat, thuhet tutje në reagimin e “Lëvizjes FOL”.

Dy kandidatë, për shembull,  kanë marrë nga 4 pika në total nga deputetët Agim Veliu dhe Armend Zemaj dhe nga 100 pikë nga deputetët tjerë. Veliu dhe Zemaj nuk kanë ofruar asnjë arsyetim për poentimin minimal, gjë që nuk përkon me praktikat e krijuara gjatë proceseve rekrutuese me pjesëmarrjen e ekspertëve britanikë.

Edhe në të kaluarën gjatë të përzgjedhjes së anëtarëve të këtij bordi, ku gjithashtu kandidati me më së shumti pikë ishte Mehmet Kalisi, përkundër faktit se i njëjti, në të kaluarën ka përdorur gjuhë fyese ndaj medieve dhe i cili gjatë intervistimit kishte përmendur si ide krijimin e një agjencie shtetërore të lajmeve në kuadër të RTK-së.

“Lëvizja FOL” vlerëson se mënyra e poentimit të kandidatëve nuk ka siguruar parimet e vlerësimit objektiv dhe të barabartë. Prandaj, i bëjmë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që këto propozime të kandidatëve t’i trajtojë me seriozitet të lartë dhe me mundësinë e ripërsëritjes së konkursit, në mënyrë që të respektohen parimet e meritokracisë për pozitat e zgjedhura në institucionet me interes publik, siç është Radiotelevizioni Publik i Kosovës.

Pas intervisitimit të kandidatëve për anëtarë të Bordit të RTK-së, nga komisioni kanë reaguar deputetët e pozitës.

Valon Ramadani ka thënë se tendenca e opozitës për t’i sabotuar institucionet vetëm për të na sulmuar si Lëvizje, po shpërfaqet hapur dhe qartë.

Megjithatë, institucionet do të kenë sukses e opozita do të dështojë në përpjekjet e saj. Sot kishim rastin konkret ku në procesin intervistues të kandidatëve për Bordin e RTK-së, deputetët opozitarë  vlerësonin me nga vetëm 1 pikë, nga 30 të mundshmet për fushën e arsimit, madje edhe kandidatit, që, tashmë, është duke doktoruar. Më ulët se kaq s’mund të shkojë!

 Njëjtë dhanë vlerësim edhe për performancën, pikërisht kandidatëve që ishin pjesë e Bordit dhe kanë përvojë në këtë fushë. Ky është keqpërdorim fundamental i të drejtës së deputetit. Ata s’do të mund ta kthejnë RTK-në në gjendjen që ka qenë. Vetëm po na e dëshmojnë përsëri pse RTK-ja ka qenë aq keq e katandisur! E deputeti, Besim Muzaqi ka akuzuar opozitën për vlerësim skandaloz.

Deputetët nga opozita, Agim Veliu e Armend Zemaj, nga LDK, dhanë vlerësim skandaloz duke ‘goditur’ kandidatët me nga 4 pikë nga 100 të mundshme duke abstrakuar faktin që në rubrikën për vlerësimin e shkollimit dhe përvojës nga 30 pikë të mundshme, kanë poentuar kandidatët me doktoraturë me nga 1 pikë vlerësuese. Hiç më mirë Isak Shabani nga PDK dhe Time Kadriaj nga AAK, veçse pak më me ‘marifet’ duke vlerësuar ulët me nga 5 deri 30 pikë.

E reagim pati edhe nga anëtari tjetër i komisionit nga radhët e Vetëvendosjes, Fitim Haziri. Ai ka thënë, se kandidatët me doktoraturë u vlerësuan vetëm me një pikë nga anëtari opozitar në rubrikë e poentimit për arsimin dhe përvojë e që ishte maksimale 30 pikë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Donald Trump Jr., djali i ish-presidentit amerikan Donald Trump, tha…