Shkruan Albin Kurti: Për ata dy që ishin një: për Afrimin dhe Fahriun!

02 nëntor 2023 | 12:24

Nga një nëntor në tjetrin, vit pas viti, sot janë bërë 34 vite nga dita kur dy vdekje të përveçme në një rënie të përbashkët, i përjetësuan dy jetë njerëzore në një nyje të mirëlidhur në rrugën që na nxorri deri te liria e Kosovës. Në Prishtinë, mes banesave të lagjes Bregu i Diellit, për shqiptarët e Kosovës u shenjua një vend i veçantë në rrugën e tyre për liri. Shenja e rënies së dëshmorëve Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu! Ajo shenjë që e nderojmë edhe sot, siç e nderojmë çdo 2 nëntor në Breg të Diellit dhe ajo shenjë që e nderojmë çdo ditë në histori, kur kujtojmë dhe kultivojmë frymën që i bashkoi dhe i drejtoi Afrimin dhe Fahriun.

Në mesditën e 2 nëntorit të vitit 1989, policia serbe i rrethoi këta dy veprimtarë politikë shqiptarë, në një bazë ilegale të tyren në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë, në bllokun numër 3, në një bodrum në hyrjen numër 3. Të paepur në përpjekjen e përbashkët dhe të bindur në rezistencën e tyre për lirinë e Kosovës, këta dy shokë luftuan për orë të tëra atë ditë, derisa u vranë dikur natën vonë.

Të dy ata kishin lindur në trevat e Llapit në vitet ’60, në të ’60-at e demonstratave: Fahriu më 1963 në Llaushë, kurse Afrimi më 1965 në Llugë. E kishin nisur aktivizmin e tyre në demonstratat e vitit 1981, kurse në demonstratat e vitit 1989, ata tashmë ishin bërë organizatorë demonstratash. I njihnin mirë rrugët që kishin ndjekur dhe fatet që kishin patur Fazli Greiqevci dhe Shaban Shala, Metush Krasniqi dhe Adem Demaçi, Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha, emra që përfaqësonin vetëdijen e rrugës së tyre për liri.

Andaj deri në ditët e fundit para rënies, më 31 tetor dhe 1 nëntor 1989, Afrimi dhe Fahriu kishin organizuar demonstrata dhe u kishin prirë atyre bashkë me shokët e tjerë në Prishtinë. Kishin shpërndarë trakte dhe kishin planifikuar hapat e ardhshëm të lëvizjes ilegale. Po e zgjeronin grupin, po e forconin organizimin dhe po e rrisnin aktivizmin. Niveli i tyre i gatishmërisë, është qartazi i lexueshëm në aktin e tyre të fundit, kur edhe të armatosur luftuan për atë drejt së cilës ishin nisur që në rini, për lirinë e Kosovës.

Rasti i Afrimit dhe Fahriut ishte nga shenjat e para në dekadën e mbrame (1989 – 1999), në historinë e përpjekjes së shqiptarëve të Kosovës për t’u çliruar nga pushteti okupues i Serbisë. Veprimtaria e Afrimit dhe Fahriut deri në frymën e tyre të fundit, u bë shembull frymëzues për shokët e tyre dhe ata që më pas iu bashkuan grupeve ilegale në lëvizjen për çlirimin e Kosovës.
Lavdi jetës me përkushtim atdhetarie, veprimtarisë me shumë punë e aksione dhe rënies heroike të Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, në Ditën Ndërkombëtare për t’i dhënë…