‘Sa herë që këmba ime shkelë në veri, e mendoj se mund të kthehem i vdekur’, reagon pjesëtari i FIT-it
Pjesëtari i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, Fatlum Xheladini, ka reaguar pas shumë diskutimeve që janë bërë nga përfaqësues të lartë të institucioneve, rreth pagave të tyre, pas protestës së FIT-it e cila është mbajtur një ditë më parë para Qeverisë së Kosovës.
Xheladini ka thënë se ata po kërkojnë një pagë dinjitoze dhe se është e palogjikshme që të diskutohet kaq shumë paga e tyre. Madje ka përmendur dhe rreziku i cili u kanoset atyre sa herë ata shkojnë në veri.
“Sa herë që këmba ime shkelë në pjesën veriore të Republikës tonë, unë e mendoj që mund të kthehem edhe i vdekur, jo pse dua t’viktimizohem, po se ka me dhjetëra raste kur jemi rrezikuar me jetë. Është e palogjikshme me u përmend paga (edhe pse jo pagë, se këto janë veç shtesa momentale për punën jashtë t’gjitha normave), kur unë personalisht ka kohë që nuk kam qëndruar n’shpi mbi 20 orë. Llogaritni si të doni ju, veç një e di që barazimi nuk do t’iu del asnjëherë si e mendoni. Sh’net!”, ka shkruar Xheladini në “Facebook”.