Izraeli kërkon nga vendet perëndimore të dërgojnë ‘spitale lundruese’ për palestinezët që largohen nga Gaza

02 nëntor 2023 | 15:22

Izraeli u ka kërkuar vendeve që të dërgojnë anije spitalore për të trajtuar palestinezët e plagosur, të cilët do të lejohen të largohen nga Rripi i Gazës përmes territorit egjiptian, ka thënë ambasadori i Izraelit në Berlin.

Në një intervistë për rrjetin publik të radios izraelite (Kan), Ron Prossor, ka thënë se një kërkesë e tillë i është bërë Gjermanisë dhe vendeve të tjera, duke konfirmuar skenarin e paraqitur nga radiostacioni sipas të cilit të plagosurit nga Gaza do të hipnin në anijet spitalore në portin Al-Arish në Egjipt pranë enklavës palestineze.

“Nuk e di ende nëse do të ndodhë. Ne e kërkuam atë. Mendoj se po diskutohet. Këtu në Evropë ka një tendencë për të ofruar ndihmë për arsye humanitare në çfarëdo mënyre”, ka thënë ish-sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme të Izraelit.

Franca ka njoftuar javën e kaluar se po dërgonte anijen Tonnere në Mesdheun lindor me një mision për të mbështetur spitalet e Gazës. Tonnere ka 70 shtretër dhe dy salla operative.

Izraeli i ka kërkuar edhe Italisë një anije spitalore, por nuk ka marrë përgjigje.

Në Ankara, ministri i Shëndetësisë, Fahrettin Koca, ka thënë se Turqia është gati të pranojë pacientë me kancer nga spitali i Miqësisë Turko-Palestineze në Gaza, i cili ka pushuar së funksionuari për shkak të mungesës së karburantit dhe granatimeve në enklavën palestineze.

Turqia deri më tani ka dërguar 200 tonë ndihma humanitare dhe një ekip mjekësor në Egjipt për palestinezët në Gaza dhe po propozon ngritjen e një spitali fushor në tokën egjiptiane pranë kalimit Rafah.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjashtëmbëdhjetë nga 35 spitalet e Rripit të Gazës nuk janë…