Loja e Speciales, të mërkurën e ftoi Remin për intervistim, të enjten e anuloi
Zyrtarët e Dhomave të Veçanta të Prokurorisë Speciale të Kosovës të mërkurën i kanë dërguar ftesë për intervistim Rrustem Mustafës, njërit prej komandantëve të UÇK-së. Dje, zyrtarët e Dhomave të Veçanta të Prokurorisë Speciale të Kosovës, edhe nëpërmjet thirrjes telefonike, edhe nëpërmjet emailit, e kanë njoftuar Mustafën se intervistimi i tij është anuluar, raporton “Epoka e re”.
Letra e Rrustem Mustafës publikuar sot:
Të dashur miq!
Në mbrëmjen e dt. 1.11. 2023, nga zyrtarët e dhomave të veçanta të Prokurorisë Speciale të Kosovës, kam pranuar një ftesë për t’u intervistuar sot, me 3.11.2023, në ora 09:00.
Në ndërkohë, po nga të njëjtit zyrtarë, dje pasdite, fillimisht përmes një thirrjeje telefonike dhe pastaj një sms-je dhe email-i, m’u konfirmua se intervistimi im nga ZPS-ja është anuluar.
Të dashur e të nderuar miq,
Në lidhje me këtë çështje dua ta konfirmoj edhe një herë përcaktimin e përkushtimin tim.
Si në të kaluarën ashtu edhe sot, por edhe nesër e kurdo që është nevoja, jam i gatshëm për të dhënë kontributin tim në favor të drejtësisë.
Lufta e UÇK-së ka qenë luftë mbrojtëse dhe çlirimtare, ashtu siç thonë edhe miqtë ndërkombëtarë.
Luftë më të drejtë dhe më të pastër (për aq sa, pastërtinë e tillë e mundosojnë rrethanat e luftës) nuk njeh historia e njerëzimit.
Jam me fat që kam qenë njëri nga protagonistët e kësaj lufte, dhe të vërtetën e saj jam i gatshëm ta mbroj në çfarëdo cilësie.
Falë luftës së UÇK-së, jo vetëm Kosovës por edhe rajonit, i është hapur rruga e integrimit në familjen evropiane, aty ku e kemi vendin ne si komb dhe si shoqëri.
Me nderime!
Rrustem Mustafa