Kurti merr pjesë në ceremoninë e certifikimit të kursantëve holandezë
Kryeministri Albin Kurti mori pjesë në ceremoninë e certifikimit të kursantëve holandezë, në ambientet e Qendrës së Kërkim Shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Pomozotin, Fushë-Kosovë, ku të pranishëm ishin edhe ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla, zëvendësambasadori i Holandës në Kosovë, Ronald Goldberg, komandanti i Gardës Kombëtare të FSK-së, gjeneralbrigade Naim Haziri dhe drejtori i Qendrës së Kërkim Shpëtimit, John Doone.
Në hapje të kësaj ngjarje Kurti theksoi se trajnimi që sapo ka përfunduar është pjesë e një rrjeti global aktivitetesh që na mundësojnë t’i përgjigjemi me shpejtësi të papriturave dhe, duke e bërë këtë, të shpëtojmë jetë.
Teksa i uroi kursantët për këtë arritje, siç është kjo e certifikimit, kryeministri Kurti u shpreh i lumtur që ishte pjesë e kësaj ngjarje në festimin e kësaj arritje të rëndësishme për të gjithë pjesëmarrësit dhe për të gjithë stafin që ndihmoi që ky ushtrim të realizohet me sukses të plotë.
Në fjalën e tij Kurti tha se përkushtimi i Kosovës për partneritet dhe vendosmëria e saj për të kontribuar në zgjidhjet e përbashkëta është thelbësore.
Ai shtoi se është krenar për aftësitë e klasit botëror që i zhvillojmë në Pomozotin, aftësi që janë jetike për shtetin tonë dhe partnerët tanë teksa përgatitemi për role që na takojnë në arenën globale.
Duke e cilësuar këtë si një moment shumë të veçantë, Kurti tha se kjo qendër, vitin e kaluar, ka ofruar trajnime për afër 3 mijë persona, në mesin e të cilëve krahas shtetasve tanë edhe qindra partnerë tjerë të huaj nga Shqipëria, Britania e Madhe, Italia, Hungaria, Jordania, Malta, Maqedonia e Veriut, Irlanda e Veriut, Portugalia, Turqia si dhe kolegët tjerë të nderuar nga Holanda.
“Ambicia jonë është ta ngrisim këtë qendër në një Qendër të njohur Ekselence, duke i shërbyer partnerëve tanë të Bashkimit Evropian dhe NATO-s, si dhe komunitetit më të gjerë global”, tha Kurti.